Zyrtare, Suarez firmos me Atleticon, debuton të dielën
Luis Suarez është zyrtarisht lojtar i Atletico Madridit. Sulmuesi 33-vjeçar mbërriti në kryeqytetin spanjoll në mëngjes dhe shkoi direkt në Klinikën Universitare Navarra për t’iu nënshtruar ekzaminimit mjekësor.
Më pas u zhvendos në “Wanda Metropolitano” për të nënshkruar kontratën që e lidh atë me ekipin madrilen për dy sezonet e ardhshme.
Futbollisti pritet gjithashtu të japë mesazhin e tij të parë për tifozët e Atleticos nëpërmjet klubit në rrjetet sociale. Ai do të zhvillojë vetëm dy seanca stërvitore (të premten dhe të shtunën) para sfidës me Granadën, të dielën, por Simeone do ta grumbullojë për ta patur në dispozicion për këtë takim.
Kuptohet që nga minuta e parë do ta nisë Diego Costa, por nëse gjithçka shkon mirë për Atleticon, uruguajani prite të aktivizohet në pjesën e dytë, duke debutuar kështu vetëm tri ditë pasi hodhi të zezën në të bardhë.























