Nurellari: Lajmet e RTK-së si në komunizëm revista e lajmeve në RTSH
BKT
Lajme

Nurellari: Lajmet e RTK-së si në komunizëm revista e lajmeve në RTSH

Analisti Adri Nurellari ka kritikuar qasjen e lajmeve në RTK në rastin e transmetimit të një prononcimi të liderit të VV-së, Albin Kurtit i cili sulmoi PDK-në dhe presidentin Hashim Thaçi për Gjykatën Speciale dhe LDK-në për marrëveshjen e Washingtonit.

Postimi i plotë i Adri Nurellarit në profilin e tij në FB:

Lajmet  në RTK sot janë dukur si revista e lajmeve të RTSH-së gjatë  epokës së regjimit komunist duke filluar me një kronikë të zgjeruar të udhëheqësit të partisë i cili sypatrembur vërsulet e sulmon armikun e  brendshëm dhe të jashtëm.  Dikur në kohën e komunizmit në Shqipëri Radio Televizioni Shqiptar shërbente si njëra prej levave kryesore me të cilën bëhej propaganda dhe nëpërmjet tij shpaloseshin direktivat e Komitetit Qendror të PPSH-së. Sot krijohej përshtypja e njëjtë me peshën që i jepej Këshillit Qendror të partisë politike Lëvizja Vetëvendosje dhe retorikës pompoze denoncuese të liderit të saj.

Ajo që të binte menjëherë në sy në fjalimin e tij në distancë, pa prezencë të pjesëtarëve të tjerë të strukturave partiake, ishte fakti që  paraqiste një rast klasik të politikanit të mbyllur në të ashtuquajturën “Dhomë të Jehonës”. Në shkencat sociale  shprehja dhomë e jehonës përdoret shpesh si metaforë për të përshkruar një situatë në të cilën bindjet apo qëndrimet dogmatike përforcohen nga komunikimi dhe përsëritja brenda një sistemi të mbyllur që nuk lejon prezencën e mendimeve alternative apo kundër-argumenteve. 

Përdoret ky term shpesh për të treguar rastin delirant të një politikani të mbyllur në një dhomë që dëgjon vetëm jehonën e zërit të vetë të përplasur brenda mureve të dhomës që  i është kthyer prapa. Mandej vetëkënaqet me këtë jehonë të zërit të tij që ai dëgjon dhe e trajton si rikonfirmim apo vërtetim të asaj që ai vetë ka thënë.


MË SHUME NGA Lajme