Ambasada Amerikane bën thirrje për aplikime në Byronë Kombëtare të Hetimit
Ambasada Amerikane në Tiranë apeloi që profesionistët e jurisprudencës në Shqipëri të aplikojnë për t’u bërë anëtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada theksoi se “kjo është mundësi shumë e mirë” për të gjithë ata që kërkojnë “të punojnë nën drejtimin e prokurorëve të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
BKH-ja ka në dispozicion 60 vende për hetues dhe gara është hapur prej javës së shkuar, ku burime të Euronews Albania kanë treguar se janë mbi 165 aplikime të kryera, shumica prej së cilave nga oficerë apo ish-oficerë të policisë, njofton euronews.albania.
Aplikimet për t’u bërë pjesë e BKH-së mund të bëhen deri më 29 shtator dhe pas kandidimit, kalohet në fazën e përzgjedhjes fazë nga e cila do të dalë edhe se kush do të jetë nëndrejtori i saj.
Hetuesit dhe drejtuesi i BKH-së do të trajnohen për tre muaj në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Javë më parë drejtuesja e BKH-së Aida Hajnaj garantoi se ky proces do të udhëhiqet nga transparenca për të përzgjedhur hetuesit më të mirë.























