Soreca i bashkohet fushatës së UNICEF kundër abuzimit ndaj fëmijëve
Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Luigi Soreca, i është bashkuar fushatës së lançuar nga UNICEF në Shqipëri që synon të promovojë kulturën e ngritjes së zërit kundër dhunës dhe abuzimit, veçanërisht seksual të ushtruar ndaj fëmijëve.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Soreca tërheq vëmendjen për vigjilencë në drejtim të këtij fenomeni, ndërsa shton se lufta kundër abuzimit seksual ndaj fëmijës është prioritet i Bashkimit Evropian, i cili që nga qershori ka lançuar një strategji për ta luftuar në mënyrë më efikase këtë problem, përcjellë euronews.albania.
“Gjithsecili duhet të luajë rolin e tij për të ndaluar abuzimin seksual të fëmijëve. Autoritetet kompetente publike duhet të caktojnë burime të përshtatshme. Ne të gjithë duhet të jemi vigjilentë, të ndërtojmë besim dhe të fuqizojmë fëmijët, në mënyrë që ata të raportojnë raste abuzimi. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri”, shkruan Soreca.























