Kukësi zyrtarizon goditjen e madhe, Ibraimi firmos për 2 vite!
BKT
Sport

Kukësi zyrtarizon goditjen e madhe, Ibraimi firmos për 2 vite!

Kukësi paralajmëroi dy goditje të mëdha në merkato një ditë më parë, dhe emrat e këtyre dy goditjeve të mëdha u zbuluan menjëherë.

Bëhej fjalë për 2 futbollistë shqiptarë që vinë nga Maqedonia e Veriut dhe i pari prej tyre është zyrtarizuar edhe nga vetë klubi. Në të shkuarën ka qenë një dëshirë e vjetër e Partizanit ndërsa tashmë do të jetë pjesë e Kukësit të Skënder Gegës.

Agim Ibraimi është goditja e madhe e Kukësit në këtë merkato verore. I larguar nga Shkëndija në fund të sezonit të kaluar, 32-vjeçari është bindur nga projekti i Kukësit dhe ka firmosur zyrtarisht një kontratë 2-vjeçare me verilindorët me të cilët do të tentojë të fitojë titullin në Kategorinë Superiore.

Ibraimi ka një karrierë të pasur pasi përveç se ka luajtur në disa raste në grupet e Champions League dhe Europa League me Maribor duke shënuar dhe 4 gola në dy kompeticionet më të rëndësishme për klube, në sezonin 2013-2014 ka qenë pjesë e Cagliarit në Serie A teksa është aktivizuar në 25 takime duke shënuar dhe 2 gola ndërsa ka provuar të luajë edhe në Kazakistan me Astanan dhe në Turqi me Eskisehirspor.

Ai do të jetë një vlerë e shtuar për repartin e avancuar të Kukësit pasi luan si sulmues krahu. Një meritë për kalimin e Ibraimit te Kukësi e ka edhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi me të cilin 32-vjeçari njihet shumë mirë.