Meta: Qeveria nuk ka transparencë me Presidencën
Në komunikimin javor me gazetarët, presidenti Ilir Meta vuri theksin mbi financat e vendit, siç janë paditë e investitorëve të huaj në gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Sipas tij Shqipëria po humb shumë para në gjykatat ndërkombëtare për vendimet e njëanshme. Zoti Meta bëri thirrje që të hiqet dorë menjëherë nga marrja e borxheve pasi shkatërron financat e shtetit dhe rrezikon të çojë vendin drejt një katastrofe financiare.
Ai dënoi sjelljen e Avokaturës së Shtetit, që sipas tij, refuzon t’i tregojë kreut të shtetit të dhënat për çështjet në Gjykatën e Arbitrazhit.
“Kur ekonomia nuk po e rimerr veten nga dy tragjedi, një barrë të rëndë po shkakton papërgjegjshmëria e institucioneve për ruajtjen e interesave të shtetit shqiptar. Dita-ditës po rritet borxhi publik. Është rritur numri i çështjeve të humbura të shtetit shqiptar në gjykatat e huaja, i kam kërkuar Avokaturës së Shtetit, numrin e çështjeve në proces në Gjykatën e Arbitrazhit ku është përfshirë Shqipëria, shërbimet e përfaqësimit, shpenzimet dhe të dhënat për ato, numrin e çështjeve të fituara në gjykatat e Arbitrazhit, numrin e çështjeve të humbura, sa ka kushtuar, shpenzimet administrative për koston e procesit, të dhëna mbi faktin nëse deri sot për çështjet e humbura a ka referuar Avokatura e Shtetit për nxjerrjen e përgjegjësve për dënim e shkaktuar ndaj shtetit shqiptar.
I dhashë mundësi të dytë avokaturës edhe pse ishte me shumë vonesë, deri tani sërish heshtje e plotë. Kjo nuk tregon papërgjegjshmëri, por përpjekje e hapur për të fshehur informacionin.” u shpreh presidenti Meta./RTSH























