Ronaldo-Messi përplasen pas 3 vitesh, ja statistikat e tyre
Kujtdo që i kishte munguar dueli mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, ka menduar shorti i Ligës së Kampioneve që ta bëjë realitet rivënien në skenë të përballjes së radhës të dy alienëve të futbollit.
Pas 9 sezoneve që janë ndeshur në kampionatin spanjoll dhe gjithçka tjetër ofronte arena iberikase e sportit më të bukur në botë, CR7 dhe “Pleshti” janë gati që të shkruajnë kapitullin e tyre të radhës në këtë sezon të Champions-it.
Për sa u përket përballjeve të tyre në Evropë, Cristiano Ronaldo tashmë 35-vjeçar dhe Lionel Messi 33-vjeçar do të vënë në skenë aktin e gjashtë të përballjeve mes tyre, bilanci i së cilës deri tani sheh në avantazh argjentinasin.
Bilanci në europë – Siç nënvizon “OPTA”, uebsajti i profesionalizuar në statistika, portugezi dhe argjentinasi do të gjenden përballë njëri-tjetrit për herë të gjashtë (por edhe të shtatë në ndeshjen e kthimit, gjithmonë nëse ndonjë dëmtim nuk frenon përballjen direkte në fushë). Në pesë precedentë që numërohen deri më sot, Lionel Messi dhe Barcelona kanë fituar 2 herë, dy ndeshje janë ndarë në barazim, ndërsa Cristiano Ronaldo ka shijuar suksesin vetëm në një rast.
Ndërkohë, ylli i katalanasve është në avantazh edhe më të thellë për sa u përket golave, duke qenë se përballë portugezit ka shënuar tri herë, ndërsa Ronaldo nuk ka shënuar ende, në ndeshjet që e ka parë veten kundër rivalit të përjetshëm. E paharrueshme në duelet mes tyre do të mbetet finalja e Ligës së Kampioneve të sezonit 2008-2009, kur Barcelona mposhte Manchester Unitedin (sezoni i fundit i Ronaldos me “Djajtë e Kuq”), me Messin që fuste në kasafortë fitoren dhe trofeun (gol me kokë për më shumë, në minutën e 69-të), pas avantazhit shumë të shpejtë të Samuel Eto-s për katalanasit.
Gjithsesi, në këtë fazë grupesh, Ronaldo dhe Messi do të provojnë respektivisht që të baraspeshojnë ose të thellojnë diferencën në bilancin e tyre personal në Evropë, me përballjen e dyfishtë që paralajmërohet në fazën e grupeve. Mes dy alienëve të dy dekadave të fundit të futbollit evropian e botëror do të jetë jo vetëm një betejë për kualifikimin dhe vendin e parë në grup, por në të njëjtën kohë edhe një duel personal golash, duke qenë se Ronaldo kryeson me 140 realizime, ndërsa Messi ndjek në kuotën 123.























