“Tirana Connectivity Forum”, ndërlidhja në kohë pandemie
Për herë të parë, ky forum u zhvillua nën kushtet e jashtëzakonshme të një pandemie globale, që ishte edhe fokusi i bisedimeve të këtij eventi.
“Tirana Connectivity Forum” u organizua për herë të gjashtë nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Tiranë, në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”, Fondacionin “Friedrich Ebert” dhe Fondacionin “Hanns Seidel”, nën patronazhin e presidencës gjermane të Këshillit të BE-së dhe media partner Euronews Albania.
Nuk munguan as tema të tjera me rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor, siç është integrimi në Bashkimin Evropian, rëndësia e zbatimit të reformave, thellimi i bashkëpunimit rajonal si dhe me partnerë të tjerë të rëndësishëm, sfidat me të cilat hasen të rinjtë.
Mes folësve të këtij forumi ishte edhe ish-Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, i cili një pjesë të fjalës së tij ja kushtoi integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
“Të tëra vendet e Ballkanit, pra jo vetëm vendet e ish-Jugosllavinë, duhet të mbajnë mend qëllimin që kanë për anëtarësimin në BE. Këtë duhet ta bëjmë sa më shpejt dhe të kemi të qartë se ku e kemi objektivin në të ardhmen”, u shpreh z. Prodi.
Të tjerë folës të rëndësishëm në këtë forum ishin edhe Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ekonomisti amerikano-serb Branko Milanovic, politikani gjerman Peter Beyer, si dhe përfaqësues të fondacioneve gjermane dhe panele të përbëra nga ekspertë të ndërlidhjes.
“Tirana Connectivity Forum” është i vetmi event që mbulon temat e ndërlidhjes, reformave dhe zgjerimit në Evropën Jug-lindore dhe është kthyer në pikë reference për diskutimin e iniciativave për ndërlidhjen në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë dhe zhvilluar ide inovative, si dhe duke informuar për Procesin e Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal.























