Cavani transferohet te United, shumë shpejt përballja me të kaluarën
BKT
Sport

Cavani transferohet te United, shumë shpejt përballja me të kaluarën

Që prej 30 qershorit Edinson Cavani ka qenë një futbollist i lirë, pasi i përfundoi kontrata me Paris Saint Germain dhe emri i tij ishte lidhur me klube të shumta europiane, por në fund sulmuesi uruguaian zgjodhi Premier Leaguen për të vijuar karrierën.

Ditën e djeshme 33-veçari mbërriti në Manchester, ku kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe më pas firmosi për dy sezone me “djajtë e kuq” të Ole Gunnar Solskjaer, ndërsa prezantimi zyrtar pritet të bëhet nesër ose të martën.

Kështu pasi dështuan të sjellin në “Old Trafford” talentin anglez Jadon Sancho, drejtuesit e Manchester United sollën në dispozicion të trajnerit norvegjez një sulmues me peshë dhe me shumë eksperiencë në arenën europiane.

E ndërkohë vetëm dy javë pas firmës me Manchester United, Edinson Cavani do të përballet menjëherë me të shkuarën e tij në fushë, pasi “djajtë e kuq” janë në të njëjtin grup të Ligës së Kampionëve me Paris Saint Germain dhe sfida mes tyre është planifikuar për më 20 tetor.