Ruçi pret Xhaferoviç, “Para se të na duan të tjerët, të duam njeri-tjetrin”
BKT
Shqipëri

Ruçi pret Xhaferoviç, “Para se të na duan të tjerët, të duam njeri-tjetrin”

Kryetari i parlamenti shqiptar, Gramoz Ruçi, i vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës, ndërsa përshëndeti vendimin e fundit të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës për rihapjen e ambasadës me seli në Tiranë, si shprehje e interesit të zgjerimit të marrëdhënieve me vendin tonë.

“Dialogu politik, bazuar në frymën konstruktive dhe respektin e ndërsjellë, si dhe bashkëpunimi në rritje në një sërë fushash, përbëjnë premisën më të mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Bosnjë-Hercegovinën” tha zoti Ruçi gjatë pritjes së kryesuesit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kreu i parlamentit shqiptar vlerësoi se “Thithja e investimeve boshnjake dhe anasjelltas, shtimi i shkëmbimeve tregtare dhe eksplorimi i mundësive të bashkëpunimit në disa sektorë si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia duhet të mbeten në fokus të vëmendjes së përbashkët të palëve”.
Zoti Ruçi deklaroi se “Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnjë-Hercegovinës, si një pjesë e rëndësishme e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në Ballkan e më gjerë dhe është e gatshme të ofrojë përvojën në këtë drejtim”.
Bashkëpunimi parlamentar është një fushë e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, vuri në dukje gjithashtu Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi.
Ai shprehu mirënjohjen për Presidentin Shefik Xhaferoviç, i cili së bashku me anëtarin kroat Komshiç, sollën dy javë më parë në tryezën e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht mosmiratimit të tij, Shqipëria inkurajon vijimin e kësaj qasje. “Para se të na duan e duam të tjerët, të duam më shumë njeri-tjetrin.”nënvizoi zoti Ruçi.
Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, falenderoi Kryretarin e Kuvendit të Shqipërisë për vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve. “Bosnjë-Hercegovina ndjek me gëzim progresin e Shqipërisë dhe përshpejtimin e integrimit europian dhe dëshiron që negociatat e paranimit të hapen sa më shpejt. Njohja e Kosovës ëshët në agjenden tonë dhe ne do të përpiqemi derisa të gjejmë konsensusin për këtë çështje.”, nënvizoi zoti Shefik Xhaferoviç./RTSH


MË SHUME NGA Shqipëri