Rama publikon shifrat e rritjes së pagave në sektorin publik
Kryeministri Edi Rama ka komentuar progres- raportin e bërë publik këtë të martë, duke thënë se dokumenti vërteton sërish se ato që thotë opozita janë gënjeshtra të hedhura me qëllim keqinformimin e qytetarëve.
Fill pas daljes nga një mbledhje në selinë e PS-së, ku në fokus ishin zgjedhjet, Rama tha se personalisht ende nuk e ka lexuar të plotë progres- raportin, porse pasqyra që ka sjellë dokumenti është dukshëm e ndryshme nga ‘pasqyra’ që përcjell opozita.
Rama: Për hir të së vërtetës nuk e kam lexuar ende progres raportin sepse kam qenë gjithë ditën i angazhuar me shumë punë të tjera dhe nesër pres këtu komisionerin dhe do diskutoj gjerë e gjatë me komisionerin. Sigurisht, më vjen mirë që edhe njëherë tjetër progres raporti është një pasqyrë krejt e ndryshme nga pasqyra që përpiqen çdo ditë t’u vënë përpara shqiptarëve ata të cilët flasin në emër të Europës por ndërkohë kanë hesapet e luftës së ethshme për pushtet në radhët e opozitës. Ashtu sikundër më vjen shumë mirë që edhe deklarata e BE-së në lidhje me reformën zgjedhore ishte krejt e kundërta nga gjithçka që u tha dhe u predikua duke paralajmëruar re të zeza mbi Shqipërinë dhe duke hedhur një helm dhe një tym që ta kapë kush ta kapë dhe të çoroditet kush të çoroditet dhe të humbasë rrugën kush të humbasë rrugën për të shkuar pas atyre që duan t’i çojnë njerëzit nëpër rrugët e tyre qorre të një përpjekjeje të dëshpëruar për pushtet që ju siguroj nuk do dalë asgjëkund.
Në lidhje me platformën e prezantuar pak ditë më parë për komunikimin në PS e më tej, Rama tha se shumë shpejt do të prezantohet mundësia që anëtarësia socialiste t’i vendosë ‘nota’ deputetëve. Rama shtoi se ‘nota’ do të ketë dhe për ministrat e qeverisë, të cilët mund të kuotohen nga ana e kujtdo që ka dëshirë, përmes portalit.
Rama: Ne vazhdojmë punën, diskutojmë për gjendjen në të gjitha aspektet, në çdo komunitet. Jemi në procesin e një ndërveprimi të ri me anëtarësinë, që ka filluar të marrë ato kodet dixhitale për të dhënë vlerësimin për deputetët e qarkut. Pas pak ditësh do të dalë dhe kërkesa për vlerësim për ministrat, pra që të jetë dhe përtej anëtarësisë. Çdokush që është i interesuar mund të bëjë një vlerësim. Dhe hapi i tretë, ftesa për të konsideruar shprehje interesi për të përfaqësuar në parlament komunitetin.























