Mesazhi motivues nga Gramoz Vokrri, para sfidës Maqedoni-Kosovë
BKT
Sport

Mesazhi motivues nga Gramoz Vokrri, para sfidës Maqedoni-Kosovë

Në prag të ndeshjes së rëndësishme që Kosova e zhvillon ndaj Maqedonisë së Veriut, djali i legjendës dhe ish kryetarit të FFK’së, Fadil Vokrrit, Gramozi ka përcjellur një mesazh motivues.

Kosova më 8 tetor zhvillon ndeshjen më të rëndësishme deri më tani në histori, ndeshjen gjysmëfinale ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup në kuadër të ‘play-off’-it të Ligës së Kombeve.

Një ditë para kësaj ndeshje, Gramoz Vokrri ka përcjellur një mesazh motivues përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në ‘Facebook’.

“Përballë vështirësive, gjithmonë kemi tregu karakter dhe unitet. Sfidat gjithmonë na kanë bashkuar sepse historia jonë është e tillë. Nesër, e gjithë Kosova do të jetë pas juve për të shkruar një faqe të re të historisë. Forca djema, forca Kosova” – ka shkruar Vokrri.

Kujtojmë që nëse Kosova arrin që të shënojë fitore, do të kalonte në finale të fazës së ‘play-off’-it, aty ku ‘Dardanët’ mund të takohen me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë dhe fitorja në finale do siguronte pjesëmarrjen historike për në Kampionatin Europian.

Ndryshe, ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës zhvillohet nesër (e enjte) me fillim prej orës 20:45 në stadiumin ‘Todor Proeski’.