Kuvendi miraton disa vendime si, memorandumi i bashkëpunimit SHBA-Shqipëri
BKT
Shqipëri

Kuvendi miraton disa vendime si, memorandumi i bashkëpunimit SHBA-Shqipëri

Në seancën e djeshme plenare, Kuvendi miratoi disa projektligje e vendime.

U miratua memorandumi i bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, në lidhje me përdorimin e informacioneve mbi udhëtarët. Ndërkohë, kaloi edhe një projektligj për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Në fjalën e saj në Kuvend, Ministrja Etilda Gjonaj, tha se ky ligj ka për qëllim të vërë para përgjegjësitë ata që me veprimet apo mosveprimet e tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve. Pjesë e ligjit, do të jetë edhe “lista e zezë”, e cila do të rendisë projektuesit e godinave që do të gjenden me probleme nga një grup vrojtuesish.

Projektligjet dhe vendimet e miratuara:

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar” miratohet me 87 vota pro, 12 kundër, 5 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” miratohet me 89 vota pro, 12 kundër, 3 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me bashkëpunimin për përdorimin e informacioneve mbi udhëtarët” miratohet me 99 vota pro, 5 kundër, asnjë abstenim.

Projektvendim “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi që do të mbajë funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv të këtij institucioni” miratohet me 86 vota pro, 8 kundër, 9 abstenim.

Projektvendim “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile” të ndryshuar” miratohet me 86 pro, 13 kundër, 5 abstenim./rtsh.al


MË SHUME NGA Shqipëri