Vjero: Kthimi i parave, me të njëjtën procedurë si me pagat e luftës
BKT
Shqipëri

Vjero: Kthimi i parave, me të njëjtën procedurë si me pagat e luftës

Zëvendës Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, ka folur rreth heqjes së gjobave për gjithë subjektet apo individët që kanë shkelur rregullat e protokollit anti-COVID duke e konsideruar këtë një lajm shumë të mirë për qytetarët.

Ajo theksoi se ende nuk ka një numër të saktë duke bërë me dije se ky numër i saktë do të dalë pas datës 30 tetor.

“Pasi të sigurojmë një informacion të plotë sigurisht që do të fillojë dhe shpërndarja, qoftë dorëzimi fizik i lejeve dhe licencave apo lejeve të drejtimit të cilat janë tërhequr por njëkohësisht edhe shpërndarja fizike, transferimi fizik dhe i shumave në llogaritë bankare apo dhe pranë institucioneve publike”,- tha Vjero.

Zv. ministrja në fjalën e saj tha se shumat do të kthehen mbrapsht qoftë nga institucionet përgjegjëse, qoftë nga buxheti i shtetit, në llogarinë bankare të individit apo subjektit. Vjero sqaroi se kjo është diçka e përcaktuar qartë në aktin normativ dhe do të veprohet njësoj siç u veprua me pagat e luftës.

Pyetur për efektet që do të ketë falja e gjobave, Vasilika Vjero u përgjigj se efektet nuk do të jenë të larta për buxhetin e shtetit pasi nuk janë vendosur shuma të mëdha gjobash pasi sipas saj të gjitha gjobat e vëna ishin më tepër të një karakteri ndërgjegjësues, njofton euronews.albania.

“Nuk bëhet fjalë për gjoba dhe shuma shumë të mëdha të cilat do të mund të dëmtojnë buxhetin e shtetit. Këto janë të ardhura që sikurse janë marrë në një mënyrë të tillë do të rikthehen përsëri pranë qytetarëve dhe pranë subjekteve”,- sqaroi znj. Vjero teksa u shpreh se këto nuk kanë qenë shuma të parashikuara në buxhetin e shtetit dhe kësisoj nuk mund të kenë një ndikim negativ.

Së fundmi Vasilika Vjero tha  se vendimi është marrë pikërisht në këtë periudhë sepse ju është dashur kohë të edukojnë dhe ndërgjegjësojnë si individët ashtu dhe subjektet me respektimin e masave në mënyrë që më pas të arrijnë në një vendimmarrje të tillë.

Vjero e konsideroi këtë periudhën më të përshtatshme sepse duhet marrë në konsideratë dhe kalimi i sezonit veror, ku numri i rasteve të të prekurve u mbajt nën kontroll pikërisht falë këtyre masave dhe tani sipas saj, është koha t’i lehtësojnë qytetarët dhe bizneset.

Së fundmi ajo nënvizoi se kjo nuk do të thotë që nuk do të merren masa për shkelësit nga ky moment e mbrapa.


MË SHUME NGA Shqipëri