De Bruyne, gati ta mbyllë karrierën te Manchester City
BKT
Sport

De Bruyne, gati ta mbyllë karrierën te Manchester City

Kevin De Bruyne është i gatshëm për të mbyllur karrierën e tij pikërisht me klubin e Manchester City-t.

Prej 5 vjetësh 29-vjeçari i famshëm belg luan për “sky blues” dhe futbollisti nga Drongeni konsiderohet me të drejtë si njëri ndër mesfushorët më të mirë të botës.

Falë talentit, punës dhe arritjeve të tij De Bruyne ka fituar admirimin e të gjithëve, madje së fundmi lojtari i përfaqësueses së “Djajve të Kuq” u vlerësua edhe si mesfushori më i mirë i edicionit të kaluar në UEFA Champions League, duke lënë prapa dyshen e Bayernit Thiago Alcantara – Thomas Muller, ndonëse “citizens” për hir të së vërtetës u eliminuan që në fazën çerekfinale nga një kundërshtar si Lioni.

Kevin De Bruyne ndihet vërtet shumë mirë te City dhe 29-vjeçari është i lumtur me karrierën e tij në ishull. Duke lënë mënjanë dështimet e njëpasnjëshme në Champions, me trajnerin Pep Guardiola De Bruyne ka një raport të shkëlqyer dhe mesfushori belg përfaqëson një ndër pikat më të forta të City-t.

Në Angli De Bruyne vuajti fillimisht, por më pas zëvendëskapiteni i “sky blues” fitoi gjithçka mund të fitohej me Manchester City-n. Shpërthimi i tij mund të kishte ndodhur që te Chelsea, por nga viti 2012 kur kaloi në radhët e bluve e deri në 2014 De Bruyne ngrohu stolin dhe u aktivizua nga Jose Mourinho për vetëm tri ndeshje gjithsej në Premier League.

Asokohe lojtari i talentuar belg u tregua i paduruar dhe trajneri i mirënjohur portugez me të drejtë u justifikua, duke deklaruar se nuk mund të ulte në stol një si Frank Lampard, që përveçse Idhulli i tifozërisë së skuadrës londineze ishte gjithmonë i padiskutueshëm në formacion.

Me City-n në Ishull De Bruyne ka fituar 2 tituj kampionë, 1 FA Cup, 4 Kupa Lige dhe 1 herë Superkupën e Anglisë. Ai konsiderohet si arkitekti i sa e sa sukseseve për “citizens” në këtë vend, e në fakt edhe drejtuesit e klubit kanë marrë masa për të rinovuar sa më shpejt që të jetë e mundur kontratën me të. Nga sa mësohet bisedimet janë vënë në rrugë të mbarë dhe ka progres ndërmjet palëve, për të arritur në një marrëveshje të re.

Takimet janë përshpejtuar dhe në fillimin e muajit tetor është folur shumë për një kontratë të re 5-vjeçare, që do ta mbajë De Bruyne-n të lidhur me klubin deri në fundin e sezonit 2024-25. Mesfushori i famshëm belg u transferua në vitin 2015 nga Wolfsburgu te Manchester City për shifrën e 55 milionë stërlinave.