​Kosova-Sllovenia, ja parashikimi i Krasniqit e Gjonbalajt
BKT
Sport

​Kosova-Sllovenia, ja parashikimi i Krasniqit e Gjonbalajt

Trajneri i njohur i futbollit tonë, Ramiz Krasniqi duke folur në emisionin “Dardanët” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka thënë se Kombëtaren tonë e pret një ndeshje e vështirë me Slloveninë, por ai beson së lojtarët tonë sonte do të angazhohen maksimalisht për të marrë rezultat pozitiv, raporton RTKLive.com.

Kosova dhe Sllovenia do të përballen sonte në “Fadil Vokrri” në kuadër të Grupit C në Ligën e Kombeve. Krasniqi thotë së Sllovenia është një skuadër e fortë që merr pjesë në turne të mëdha evropiane. Sipas tij, mungesa e lojtarëve tonë po ndikon në paraqitjen e skuadrës sonë.

“Sigurisht Sllovenia është një kombëtare që vite me radhë merr pjesë në eveniment te mëdha. Mendoj se pas ndeshjes me Maqedoninë Kosova nuk na kënaqi, por tani do ti kthehem lojës së radhës”, tha Krasniqi.

“Sa i përket skuadrës, mungesa e disa lojtarëve dhe forma e lojtarëve ndikojnë direkt në ekipe. Sigurisht se pandemia ka ndikuar, sepse te ishte fondi i plotë, atëherë do të ishte më lehtë për skuadrën tonë”, theksoi ai.

Tutje Krasniqi ka shtuar se “edhe lojtarët tjerë që janë pjesë e skuadrës sonë, duhet të japin shumë më shumë, sepse ekipa përbehet nga 20 lojtarë”.

Të vështirë duelin me Slloveninë e mendon edhe Malsor Gjonabalaj, një tjetër trajner i futbollit tonë.  Sipas tij, situata me pandeminë ka ndikuar shumë në skuadrën tonë. Edhe Gjonabalaj thotë se mungesa e lojtarëve kyç po ndikon në lojën e skuadrës sonë. Ai beson së lojtarët që do të jenë sonte në terren, mund ta mposhtin Slloveninë.  

“Padyshim se mungesat e kanë luajtur rolin e vet, situata e pandemisë ka ndikuar shumë keq tek ne. Neve na ka ndikuar shumë mungesa e Rrahmanit kundër Maqedonisë, e Murqit, Rashicës por edhe Kryeziut. Mendoj se në të ardhmen duhet të japin maksimumin të gjithë lojtarët që të vijnë”, tha Gjonbalaj.

“Këto ndryshime që janë bërë në formacion, shpresojmë së do të sjellin lojë më të mirë. Rreshtimi i Sllovenisë duket se po o frikësohet Kosovës. Ajo që na duhet neve është kalkulimi taktik”, pohoi Gjonbalaj.

Ai ka shtuar se tashmë skuadrat kundërshtare kanë nisur të analizojnë mirë lojën tonë, por sipas Gjonbalajat “këta futbollistë që sonte do të luajnë për Kosovën mund ta mposhtin Slloveninë”.

Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovenisë nis në orën 20:45 dhe transmetohet në RTK1. /RTKLive/