Shqipëria me ligj që rregullon shërbimin e përkthimit zyrtar
Për herë të parë Shqipëria do të ketë një ligj për Përkthyesin dhe Përkthimin zyrtar, i cili parashikon rregullimin e shërbimit të përkthimit zyrtar.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh sot se “për herë të parë kemi hartuar Projekt Ligjin për Përkthyesin dhe Përkthimin zyrtar, i cili parashikon rregullimin e shërbimit të përkthimit zyrtar si dhe statusit të përkthyesit zyrtar të licencuar nga Ministria e Drejtësisë”.
Po ashtu, Gjonaj tha se “ligji parashikon edhe krijimin e Regjistrit elektronik të Përkthyesve Zyrtarë”.
Kjo iniciativë do të mundësojë plotësimin e një hendeku ligjor duke i dhënë një kuadër rregullator ligjor këtij profesioni.
Ligji ka për qëllim përcaktimin e kushteve për mirëfunksionimin e shërbimit të përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë dhe ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar si një profesion i lidhur me sistemin e drejtësisë në funksion të garantimit të një procesi të rregullt ligjor si dhe ushtrimit të veprimtarisë në mënyrë të pavarur dhe në mbështetje të ligjit.























