Agjencia për Akreditim do të aplikojë për ri-akreditim në ENKA

Agjencia për Akreditim do të aplikojë për ri-akreditim në ENKA

Në pranverën e vitit të ardhshëm, Agjencia për Akreditim do të aplikojë për ri-akreditim në ENKA

Intervistë me Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi

Radio Kosova: Z. Gashi, a mund të na tregoni si ka shkuar procesi i akreditimit institucional dhe ai i programeve të studimit  në arsimin e lartë?

Naim Gashi: Në mars të këtij viti, kur kam marrë detyrën si drejtor i Agjencisë së Akreditimit, sfida kryesore ka qenë se katërmbëdhjetë institucione të arsimit të lartë nuk kanë pasur akreditim institucional. Në afat rekord kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe kemi marrë një vendim nga ish-ministrja e arsimit, Hykmete Bajrami, e cila na ka lejuar akreditimin në distancë. Kemi marrë modelin nga Estonia dhe fatmirësisht, Kosova ka qenë vendi i dytë në Evropë, që ka zhvilluar procesin e akreditimit në distancë. Sa i përket vlerësimit në distancë, Kosova në një video-konferencë të ENKA-s, e cila është mbajtur në muajin gusht, është marrë si një shembull se si zhvillohet në mënyrë profesionale akreditimi në distancë. Kur jemi të akreditimi në distancë, nuk nënkupton që gjithçka ka shkuar online, për arsye se në vendin e ngjarjes kam qenë gjithmonë unë si drejtor i Agjencisë me stafin përcjellës dhe vetëm vlerësimi ka qenë nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë. Fizikisht unë si drejtor dhe stafi kemi qenë në çdo vlerësim, ku janë verifikuar të gjitha dokumentet, të gjitha informacionet, të cilat u janë ofruar ekspertëve ndërkombëtarë.  Me përfundimin me sukses të këtij procesi, ne kemi vazhduar menjëherë, ku KSHC ka vendosur t’i japë prioritet tri fushave: fushës së ekonomisë, drejtësisë dhe mjekësisë, për të filluar procesin e akreditimit. Këto fusha janë marrë për shkak të numrit të madh të studentëve dhe ndikimit që kanë në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. Gjithsej në këto fusha kanë qenë 32 programe dhe në afat rekord i kemi përfunduar, ku gjatë gjithë stinës së verës, pa asnjë ditë pushim, Agjencia ka arritur që t’i vlerësoj këto programe. Më 2 shtator, në mbledhjen e KSHC janë miratuar vendimet e ekspertëve ndërkombëtarë. Vlen të theksohet, se të gjitha vendimet janë njëqind për qind në harmoni me rekomandimet që i kanë dhënë ekspertët ndërkombëtarë.

Radio Kosova: Sa ka qenë sfidë për ju që të bëni vlerësimin e institucioneve dhe programeve nga distanca, për shkak të pandemisë COVID-19?

Naim Gashi: Sfida kryesore ka qenë për faktin se ne kemi zbatuar gjithë rregullativën ligjore në fuqi, me përjashtim të vizitës në terren të ekspertëve ndërkombëtarë, që është zhvilluar në distancë. Agjencia ka shkuar në institucionet e arsimit të lartë, ka bërë verifikimin e stafit, të gjitha informacioneve, që u janë ofruar ekspertëve ndërkombëtarë. Ndërsa, pjesa tjetër sa i përket shqyrtimit të raportit të vetëvlerësimit dhe gjithë dokumentacionit është bërë sikurse herët e kaluara. Është e vërtetë që ka qenë sfidë, por është vlerësim i ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët ne i kemi angazhuar, ku shumica prej tyre janë ekspertë të ENKA-s, që procesi i akreditimit është në harmoni të plotë me standardet ndërkombëtare dhe nuk ka pasur asnjë shkarje sa i përket këtij procesi.

Radio Kosova: Sa programe studimi e institucione janë vlerësuar dhe sa janë akredituar? Ato që nuk janë akredituar, çfarë kriteresh nuk kanë plotësuar?

Naim Gashi: Gjithsej katërmbëdhjetë institucione të arsimit të lartë kanë qenë në proces, prej tyre vetëm gjashtë kanë marrë vlerësim pozitiv nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë, ndërsa tetë institucione të arsimit të lartë nuk e kanë kaluar procesin e akreditimit. Ndërsa, sa i përket programeve akademike, nga tridhjetedy që kanë qenë në proces, tridhjetë e kanë kaluar procesin e akreditimit. Sa i përket vërejtjeve kryesore, për ato që nuk e kanë kaluar akreditimin, janë njëmbëdhjetë standarde për  akreditimin institucional dhe janë shtatë standarde për atë të programeve të studimit. Një institucion për tu akredituar duhet të ketë të paktën gjashtë standarde të plotësuara nga njëmbëdhjetë dhe sa u përket standardeve të programeve akademike, duhet të kenë katër të plotësuara. Ato standarde fillojnë nga: misioni, vizioni, shërbimi ndaj studentëve, mësimdhënies, hulumtimeve shkencore dhe kapaciteteve teknike. Institucionet e arsimit të lartë që nuk kanë marrë akreditim institucional, janë kolegjet private. Tani është afati ligjor nga 1 deri më 30 tetor, ku të gjitha institucionet e reja ose ato që duan të ri-akreditohen, mund të aplikojnë për akreditim dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë është i obliguar që brenda një viti t’iu kthejë përgjigje.

Radio Kosova: Keni thënë se në punën tuaj do të keni prioritet kthimin në organizatat ndërkombëtare ENKA dhe EQAR, nga ku AKA është përjashtuar. Cili është plani juaj për këtë?

Naim Gashi: Ne kemi miratuar një plan dinamik për plotësimin e të gjitha kritereve, që e kemi dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, njëkohësisht e kemi dorëzuar edhe tek partnerët tanë ndërkombëtarë. Janë trembëdhjetë pika që duhet t’i plotësoj Kosova, ku aktualisht jemi duke punuar në të gjitha prej tyre. Unë falënderoj Ambasadën Amerikanë, si donatorin tonë kryesor, që ka miratuar një projekt, i cili po zbatohet përmes Vus Kosovës, për plotësimin e katër kritereve më të vështira për kthim.

Radio Kosova: Ndërkohë, kohët e fundit keni nënshkruar kontrata me Ambasadën Amerikanë për financimin e dy projekteve, që kanë të bëjnë me forcimin e kapaciteteve për plotësimin e kritereve për ri-kthim në këto organizata?

Naim Gashi: Gjithsesi Ambasada Amerikane, përveç përkrahjes për pavarësi institucionale dhe për transparencë ndaj publikut, na ofron edhe mbështetje financiare për rritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për plotësimin e kritereve për ri-kthimin e Agjencisë së Akreditimit në ENKA. Në fakt, janë dy projekte të ndara dhe nëse i marrim një e nga një, janë pesë komponentë kryesorë. Me Vus Kosovën 1, zbatojmë katër kritere kryesore të ENKA-s, ku prej tyre është edhe analiza tematike, që është kriteri më i vështirë për tu përmbushur sa i përket Agjencisë së Akreditimit, për arsye se aty duhet të bëhet hulumtimi i tregut, migracionit, ka komponentë ligjorë, komponentë demografikë, ekonomike, arsimore. Fatmirësisht, kjo po bëhet me financimin e Ambasadës Amerikane. Mandej, kemi edhe tre komponentë të tjerë që financohen, ku do të krijohet ueb-faqja e re, do të rritet transparenca ndaj publikut, shoqërisë civile, donatorëve e institucioneve. Njëkohësisht, do të krijojmë një platformë, ku vërtetimet për programet e akredituara do të jenë online. Komponenti i fundit është që lufton shkeljet e standardeve në arsimin e lartë, ku do të krijohet një platformë online, që do të adresohen vërejtjet sa i përket shkeljes së standardeve në fushën e arsimit të lartë.

Radio Kosova: Mos të harrojmë ndërhyrjet politike që janë bërë deri tani në këtë Agjenci, që i kushtoi asaj me përjashtimin nga dy organizata ENKA dhe EQAR. Janë bërë edhe përpjekjet për të hartuar ligjin për Agjencinë e Akreditimit, që i siguron asaj autonomi të plotë, që është edhe kushti kryesor për tu ri-anëtarësuar në këto organizata. Në cilën fazë është ky proces?

Naim Gashi: Ministria e Arsimit ka formuar një grup punues, ku unë jam nënkryetar i atij grupi. Agjencia e Akreditimit më përkushtimin maksimal, i ka dërguar të gjitha sugjerimet sa i përket këtij ligji. Ne shpresojmë që ligji të hyjë në procedurë gjatë këtij viti. Unë shpresoj shumë që do të gjejmë përkrahje edhe nga shumica parlamentare edhe nga opozita, për arsye se është një ligj jetik sa i përket të ardhmes së sistemit arsimor të Kosovës. Pjesë e grupit punues për hartimin e ligjit është edhe një anëtar i komisionit parlamentar për arsim. Shpresojmë që shumë shpejt Ligji të kalojë nga Ministria e Arsimit në Qeveri, për tu proceduar më pas në Kuvend për miratim. Pa një ligj, i cili garanton pavarësinë tonë institucionale është e pamundur që të mendohet ri-kthimi i Kosovës në ENKA. Përmes këtij ligji, synohet të eliminohen të gjitha mundësitë që në të ardhmen të ketë ndërhyrje politike në Agjencinë e Akreditimit. Është kushti kryesor për ri-kthimin e Kosovës në ENKA.

Radio Kosova: Kur pritet që Agjencia e Akreditimit të ri-anëtarësohet në ENKA dhe EQAR? Kur janë afatet për të aplikuar Kosova?

Naim Gashi: Po ka afate. Në vitin 2019, kur Kosova është përjashtuar nga ENKA, ne kemi pasur afatin kohor dy vjeçar, për arsye se ENKA nuk lejon që çdo vit të aplikojmë. Ata konsiderojnë se afati prej dy vjetësh është i mjaftueshëm për të plotësuar kriteret që ata i kërkojnë. Plani ynë dinamik parasheh që deri në pranverën e vitit të ardhshëm, të plotësojmë pjesën dërmuese të kritereve. Kërkoj nga Qeveria dhe Kuvendi, që në procedurë më të shpejtë të miratojnë ligjin, në momentin kur të dorëzohet drafti fillestar, për faktin se ne jo vetëm që duhet ta miratojmë atë, por duhet ta vendosim në fuqi dhe ta zbatojmë atë ligj. Kjo për arsye se në momentin kur të aplikojmë për ri-anëtarësim në ENKA, ne tregojmë rezultate konkrete nga ligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës. Për këtë arsye, pikën më të vështirë e shoh Ligjin, pasi ai garanton pavarësinë tonë institucionale si kriteri bazik për ri-anëtarësim. Sa i përket kritereve të tjera, disa janë plotësuar, si komisioni i ankesave, i cili është funksional, kemi kriterin për përmirësimin e kualitetit të menaxhimit të brendshëm, kriterin e standardeve të monitorimit, një pjesë janë në fazën fillestare. Por, shpresojmë se me dinamikën aktuale, deri në pranverën e vitit të ardhshëm do t’i plotësojmë kriteret për të qenë të gatshëm për te ri-aplikuar.

Radio Kosova: Megjithatë, është thënë vazhdimisht që keni mungesë të stafit, mungesë të një objekti? Çfarë është bërë në këtë drejtim?

Naim Gashi: Edhe këto kanë qenë dy kritere për kthim në ENKA. Fatmirësisht Ministria e Arsimit, Ministria e Financave dhe ajo e Administratës Publike, kanë miratuar rritjen e stafit. Mirëpo, sivjet e kemi pasur problem sa i përket rekrutimit, për shkak të një vendimi të Qeverisë, që të mos rekrutohet asnjë staf në shërbimin civil, deri sa të hyjë ligji në fuqi, i cili tashmë ka hyrë në fuqi. Agjencia e Akreditimit është institucion shumë specifik, për arsye se kërkohen shkathtësi, që fatkeqësisht nuk gjenden shpesh në shërbimin civil të Kosovës. Është e pamundur që dikush të punojë në Agjencinë e Akreditimit pa njohuri të thella të gjuhës angleze, pasi komplet komunikimi, bashkëpunimi dhe puna jonë, është e bazuar me ekspertët ndërkombëtarë.

 

Autor: Intervistoi: Albana Karaj


MË SHUME NGA Intervista