Ballsh, Dautaj: Naftëtarët nuk do tërhiqen derisa të futen brenda në uzinë
BKT
Shqipëri

Ballsh, Dautaj: Naftëtarët nuk do tërhiqen derisa të futen brenda në uzinë

Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e 17-të grevës së urisë, ku pas përplasjes së djeshme me policinë private të Uzinës, ata paralajmëruan përshkallëzim të situatës.

Gjatë ditës së djeshme, kryetari i shoqatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj paraqiti gjendje të rënduar shëndetësore, kjo për shkak edhe të lagështirës në ambientet ku po mbahet greva. 

Pavarësisht grevës, naftëtarët ende nuk kanë pasur një komunikim nga institucionet për zgjidhjen e problematikës së tyre. 

Raportohet se naftëtarët kanë nisur të grumbullohen para rafinerisë që në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që kanë deklaruar se do të jenë më të shumtë në numër.

Naftëtarët do të tentojnë sërish sot të futen brenda ambienteve të rafinerisë për të treguar se aty brenda nuk ka pronarë dhe se godina mund të jetë rrezik për jetën e banorëve të qytetit për shkak të kimikateve dhe naftës bruto që qëndron e mbyllur prej një viti.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj i tha gazetarit të Euronews Albania se sot naftëtarët nuk do tërhiqen deri sa të futen brenda ambienteve të uzinës.

Naftëtarët e Ballshit prej 17 ditësh ndodhen të ngujuar në grevë urie, ndërsa kërkojnë pagat e prapambetura

Një ditë më parë, naftëtarët e Ballshit, të prirë nga kreu i Sindikatës, Sokol Dautaj tentuan të hyjnë me forcë në rafineri, por u ndeshën me rezistencën e policisë private që ruante objektin.

Si rezultat pati një konflikt fizik mes forcave të Policisë Private dhe Sokol Dautajt, gjendja e të cilit më vonë u rëndua.

 


MË SHUME NGA Shqipëri