Drejtuesi i OFL-së mbetet i pezulluar, Apeli lë në fuqi vendimin e GJKKO-së
BKT
Shqipëri

Drejtuesi i OFL-së mbetet i pezulluar, Apeli lë në fuqi vendimin e GJKKO-së

Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit ka lënë në fuqi pezullimin nga detyra për zëvendësdrejtorin e Operacionit “Forca e Ligjit”, Artan Shkëmbi. 

Vendimi i shkallës së parë u kundërshtua prej tij, por Apeli e ka cilësuar të drejtë duke e lënë të pezulluar Artan Shkëmbit.

Drejtuesi i OFL-së është hetuar 6 muaj më parë dhe akuzohet për nxjerrje sekreti lidhur me një informacion të kërkuar nga autoritetet gjermane.

Artan Shkëmbi, i cili kaloi vetingun në muajin shkurt, mes dilemave të mëdha pasi edhe njëri prej komisionerëve votoi kundër tij, akuzohet nga SPAK për veprat penale të zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete si dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, njofton euronews.albania.

Sipas informacioneve, Shkëmbi i cili mbante edhe detyrën e numrit 2 të Operacionit Forca e Ligjit, ka dekonspiruar një informacion të kërkuar nga një agjenci ligjzbatuese e huaj për një shtetas me precedentë penalë.

Artan Shkëmbi është edhe një prej zyrtarëve të lartë të policisë të akuzuar nga opozita si ish anëtar i sigurimit të shtetit.

Të dhënat dolën gjatë përballjes së tij me vetingun  ku Shkëmbi rezultoi me probleme edhe sa I takon kriterit të pasurisë, mbi një vlerë prej 40 mijë eurosh të pajustifikuara por megjithatë ai u konfirmua në detyrë ndonëse një prej komisionerëve, Artur Baku, votoi kundër.

Shkëmbi në të kaluarën ka mbajtur edhe detyrën e kreut të Task-Forcës së krijuar kundër krimit, në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj.


MË SHUME NGA Shqipëri