Kadri Kryeziu: Asociacioni s’do të ketë kompetenca shtetërore si R.Serbe
BKT
Lajme

Kadri Kryeziu: Asociacioni s’do të ketë kompetenca shtetërore si R.Serbe

Ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në emisionin “Imazh” të RTK-së ka folur lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se krijimi i këtij Asociacioni buron nga Pakoja e Ahtisaarit, Pako kjo që i solli Kosovës pavarësinë.

“Krijimi i Asociacionit ka qenë një lloj kompromisi në Pako të Ahtisaarit, ka qenë kompromis për pavarësinë. Pakoja e Ahtisaarit i kushton shumë rëndësi minoritetit serb, pasi që serbët ndjeheshin jo mirë, atëherë ndërkombëtarët u dhanë më shumë të drejta atyre, apo siç njihet ndryshe si diskriminim pozitiv”, ka thënë Kryeziu.

Duke folur për kompetencat problematike që mund t’i ketë ky Asociacion, Kryeziu ka thënë se komunat që do të jenë pjesë e Asociacionit nuk kanë pushtet legjislativ, por vetëm ekzekutiv sipas ligjeve të funksionimit administrativ.

Sa i përket krahasimit të ASK-së me Republikën Serbe të Bosnjës, Kryeziu me bindje ka thënë se këto dyja nuk kanë asnjë ngjashmëri.

“Krahasimi me Republikën Serbe ka dallime radikale. Republika Serbe ka president, kryeministër dhe të gjithë menakanizmat që i ka një shtet, prandaj Asociacioni s’ka lidhje me këtë entitet”, ka thënë Kryeziu.

Tutje ai ka thënë se Asociacioni nuk ka ingerenca shtetërore, por do të themelohet në bazë të marrëveshjes së vitit 2013.

“Kjo ka të bëjë vetëm me avancimin e disa kompetencave vetanake”.

“Të gjithë ata që e kanë vënë nënshkrimin në marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit, janë të bindur që ky organizëm nuk është shtetëror, por administrativ. Aktet e tyre janë statutit, rregullat, udhëzimet”, ka thënë ish gjyqtari i Kushtetueses.

“E them me kompetencë se ky Asociacion do të krijohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës. Qeveria e Kosovës do ta themeloj statutin dhe qeveria do ta nxjerr një dekret. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që ta krijoj Asociacionin përmes statutit”, ka shtuar tutje ai. /RTKLive/


MË SHUME NGA Lajme