Abazi: Patjetër ndaj Besës duhet të marrim tre pikët
Prishtina luan kundër Besës, në një ndeshje ku kryeqytetasit shihen si favoritët për tu rikthyer tek fitoret.
Ndonëse futen në këtë ndeshje nga një start mjaft i dobët, Abazi pret që Prishtina t’i marrë tri pikët.
“Kundërshtari i nesërm është emër i njohur, ndoshta në skuadër nuk kanë emra të mëdhenj, por janë lojtarë të mirë dhe të talentuar, andaj duhet respektuar maksimalisht”, ka thënë Abazi për faqen zyrtare të Prishtinës.
“Ndërsa ne kemi lëshuar disa pikë që nuk duhej lëshuar dhe tani duhet rikuperuar ato pikë duke filluar që nga ndeshja e nesërme”, shtoi lojtari.
“Patjetër që nga përballja me Besën duhet të marrim tre pikët e pastaj t’i marrim të gjitha ndeshjet tjera me radhë, sepse në vazhdim kemi orar shumë të ngjeshur, ndeshje në çdo tre ditë, për çka duhet të jemi maksimalisht të përqendruar”, ishin fjalët e lojtarit të krahut të majtë.
Prishtina dhe Besa përballen të shtunën, më 17 tetor, me fillim nga ora 14:00.























