Beqiri për deklaratën e Lajçakut: Nuk do të vijë në shprehje në asnjë rast
BKT
Lajme

Beqiri për deklaratën e Lajçakut: Nuk do të vijë në shprehje në asnjë rast

Deputeti i LDK-së Ismet Beqiri ka thënë se është e papranueshme deklarata e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog Miroslav Lajçak i cili mbrëmë në Beograd tha se është e logjikshme se duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës për formimin e Asociacionit.

“Sigurisht që kjo për ne si LDK dhe si institucione të Kosovës është e papranueshme. Vetëm si deklaratë e lëre me të bëhet përpjekje në çfarëdo forme të implementohet, sepse nuk kemi mandat, qoftë si deputet apo institucione, për të bërë një veprim të tillë. Është e vërtetë që Kushtetua e Kosovës mund të ndryshohet ose plotësohet, por jo në kuptimin e tillë. Kushtetuta mund të plotësohet ose ndryshohet, sepse është një Kushtetutë që ofron diskriminim pozitiv karshi minoritetit serb në raport me minoritetet tjera joserbe që jetojnë në Kosovë. Nuk mund të pranojmë të dezintegrohemi brenda derisa gjatë gjithë kohës flasim për integrimin e Kosovës në BE. Sigurisht që nuk pajtohemi dhe nuk do të vijë në shprehje në asnjë rrethanë”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të formohet, por pa kompetenca ekzekutive – me të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.

“Për ne është shumë e qartë se ne, si institucione të vendit, kemi marrë obligime me votimin e Projektligjit mbi Parimet në vitin 2013 me 2/3-at e deputetëve, po ashtu është një marrëveshje e nënshkruar, por është shumë e rëndësishme që në atë marrëveshje është një pikë e veçantë ku thuhet se duhet të merret opinioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës edhe për marrëveshjen edhe për statutin kur të bëhet. Gjykata Kushtetuese ka dhënë 23 vërejtje ku është thënë qartë se nuk është në frymën e Kushtetutës. Me këto përmirësime, nesër edhe mund të formohet Asociacioni, por pa kompetenca ekzekutive dhe pa nivel të pushtetit të tretë në Kosovë”.

Beqiri, që është nënkryetar i LDK-së, ka konfirmuar se Lajçak gjatë takimit me kreun e LDK-së nuk e ka përmendur një gjë të tillë.

“Nuk është kërkuar diçka e tillë. Dokumenti që e ka prezantuar Isa Mustafa është zotimi i ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherinit se nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive. Është një garancion që Mustafa ka arritur ta marrë nga përfaqësuesja e BE-së në atë kohë dhe pas kësaj edhe e ka bërë nënshkrimin e marrëveshjes duke përfshirë edhe atë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta thotë mendimin e saj. Për ne, përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese asgjë nuk është e pranueshme dhe normalisht që po besojmë që në ditët në vijim duhet të sqarojë këtë qëndrim të tij – e ka thënë vetëm për t’ia bërë dëshirën Beogradit”.

Deputeti i LDK-së ka deklaruar se kredibiliteti i procesit të dialogut Kosovë-Serbi mund të dëmtohet rëndë me deklarata të tilla si kjo e Emisarit Special të BE-së për dialog Miroslav Lajçak e bërë në Beograd.

“Zyrtarët tanë shtetërorë të të gjitha institucioneve do ta thonë qëndrimin e tyre. Dialogu nuk është bërë pa ndërmjetësim të SHBA-së dhe BE-së dhe si i tillë mund të vazhdojë vetëm në bashkëveprim me këto dy fuqi të mëdha, por në asnjë rrethanë duke rrezikuar sovranitetin tonë”.

“Një deklarim i tillë e rrezikon këtë kredibilitet, edhe pse ne e kemi thënë që nuk llogarisim që dialogu ka alternativë. Dialogu që e rrezikon integritetin e vendit është i papranueshëm. Mund të vazhdohet të bisedohet, por jo të bisedohet për diçka që është punë e përfunduar për ne. Çfarëdo qasje tjetër, për LDK-në dhe institucionet e vendit e besoj fuqishëm edhe subjektet e tjera politike, është e papranueshme dhe si e tillë do të mbetet”.


MË SHUME NGA Lajme