Bajrami: Lajçak është dashur ta kërkojë ndryshimin e kushtetutës serbe
BKT
Lajme

Bajrami: Lajçak është dashur ta kërkojë ndryshimin e kushtetutës serbe

Profesori i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është dashur në Beograd ta kërkojë ndryshimin e kushtetutës serbe dhe jo asaj kosovare.

Bajrami e ka cilësuar deklaratën e Lajçak si të pamatur e cila mundet seriozisht ta dëmtojë procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Mendoj se ky është një gabim profesional i Lajçak i cili duhet të jetë i kujdesshëm që mos ta dëmtojë procesin e dialogut sepse Bashkimi Evropian edhe ashtu nuk është marrë seriozisht nga pala kosovare si një ndërmjetësues”.

“Kjo deklaratë është jashtëzakonisht e dëmshme sepse të thuash në Beograd, një vend i cili në kushtetutën e saj e ka Kosovën dhe gjithmonë e ka pretendimin territorial të Kosovës, është një gabim i cili mundet seriozisht ta dëmtojë procesin e dialogut” tha ai në Klan Kosova.

“Lajçak duhet ta dijë se është kushtetuta e Serbisë ajo që duhet ndryshuar. Madje edhe gjatë betimit Vuçiq  zotohet se do ta mbrojë integritetin territorial që e përcakton kushtetuta e Serbisë”.

“Kosova asnjëherë nuk duhet ta pranojë këtë sepse çfarëdo ndryshimi i kushtetutës, do të binte në kundërshtim me identitetin shtetëror të Kosovës”.


MË SHUME NGA Lajme