Annella, këngëtarja që krenohet me origjinën shqiptare në çdo koncert

Annella, këngëtarja që krenohet me origjinën shqiptare në çdo koncert

Shqiptarja e njohur me emrin e artit Annella ka lindur në Zvicër dhe jeton në Danimarkë, por flet shumë mirë shqipen. Këngëtarja shqiptare mjaft e njohur në çdo koncert nuk heziton të tregojë prejardhjen e saj.

“Bass Me Baby” dhe “Like A Jazz Song” kanë qenë dy ndër këngët e Annellës që kanë kryesuar në Toplistat botërore e sidomos në SHBA. Muzika e saj është një përzierje stilesh të muzikës elektronike me ndikim nga Jazz, Blues dhe Soul.

Annella shpreson që zhanrin “Elektro Swing” do ta pranojë edhe publiku më gjerë ndonëse tashmë muzika e saj ka filluar të dëgjohet në disa vende në Evropë e SHBA.

Së fundmi këngëtarja shqiptare Annella ka realizuar një koncert pop/jazz në Kopenhagen dhe shprehet mjaft e lumtur.

“Koncerti shkoi shumë mirë dhe jam shumë e lumtur. Sot provova diçka ndryshe dhe jam shumë e lumtur që u mirëprit nga publiku. Këngët që këndova janë pjesë e albumeve të mia, por edhe disa këngë që ende nuk i kam publikuar.”

Annella e pranon me krenari se është shqiptare në çdo koncert. “Gjithmonë e theksoj se jam shqiptare, sepse jam shumë krenare për origjinën time.”

Këngëtarja shqiptare tregon se për momentin është shumë e angazhuar duke shkruar tekste të reja.  “Për momentin jam gjithë kohën në studio dhe po shkruaj shumë këngë të reja.  Momentalisht kam realizuar 14 këngë dhe po merrem me shumë të tjera.”

Ajo shpreh dëshirën e madhe për të realizuar një koncert për të gjithë shqiptarët në Danimarkë. E pyetur nga gazetari se çfarë mendimi ka për këngëtaret shqiptare që po korrin sukses në mbarë botë, Annella shprehet: “I adhuroj këngëtaret që po korrin sukses në botë, janë mbretëresha. Dua Lipa, Rita Ora, Era Istrefi, Bebe Rexha janë shumë të mira dhe kanë pushtuar radiot botërore.” / Rtv Zeri Danimarkë