Totaj: Qeveria Hoti po cenon funksionalizimin e shtetit

Totaj: Qeveria Hoti po cenon funksionalizimin e shtetit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka thënë të shtunën në konferencë për media se shkarkimet politike që ka bërë kryeministri Avdullah Hoti janë cenim i rëndë i institucioneve të pavarura dhe precedent i rrezikshëm për kapjen e institucioneve vitale.

Totaj tha se pushteti aktual me këto veprime skandaloze, po e rikthen ndjenjën e frikës për secilin shërbyes civil, profesional e të pavarur në këtë vend.

 “Me vendimet e djeshme të shkarkimeve të udhëheqësve të tre prej institucioneve më kredibile për shumë vite dhe më të pëlqyera nga qytetarët, nuk po cenohet fati individual i ndonjërit prej tyre, por funksionaliteti i këtyre institucioneve dhe vetë shtetit të Kosovës. Sjellja e kësaj qeverie e ka goditur njërën prej të arriturave më të mëdha 20 vjeçare të qeverisjes në Kosovë – 'mos hakmarrjen politike' ndaj institucioneve të pavarura, pavarësisht cila parti ka qenë në pushtet”, tha ai.

Ai theksoi se profesionalizmi, performanca e lartë dhe kredibiliteti i Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës dhe ATK-së janë meritë edhe shumë shteteve mike partnere që për 20 vite kanë ndihmuar drejtpërdrejt në trajnimin, ngritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e tyre.

 “Është për keqardhje që asnjë nga ambasadat e huaja, veçmas ajo e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, që ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e shumë drejtuesve të institucioneve të pavarura, nuk ka reaguar ende dhe po vazhdon të heshtë. Njëjtë sikur e filloi Lëvizja Vetëvendosje me hakmarrje ndaj bartësve të këtyre institucioneve të pavarura, por e vazhdon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Totaj tha se fakti se shkarkimi i Drejtorit të Policisë u bë, ende pa u mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.

 “Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike Kosovës, që të distancohet nga kësi lloj veprimesh abuzive që duket se janë spastrime politike dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për mirëfunksionimin e institucioneve të rëndësisë së veçantë sikurse janë policia, doganat dhe ATK”, tha ai.

Sipas PDK-së këto institucione në vazhdimësi janë vlerësuar lart nga raportet e shumë organizatave ndërkombëtare, si raporti i BE-së për vendin, Banka Botërore dhe FMN.