Transportoi 30 emigrantë të paligjshëm, arrstohet një 25-vjeçar

Transportoi 30 emigrantë të paligjshëm, arrstohet një 25-vjeçar

Policia e Korçës ka vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili po transportonte 30 emigrantë të paligjshëm.

Mësohet se në pranga është vënë shtetasi Renato Çela, banues në Fshat-Maliq, i cili gjatë ndjekjes nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me patrullat e “Frontex”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se përgjatë aksit rrugor Devoll-Maliq, me një mjet furgon tip “Ford” do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën, kanë bërë të mundur lokalizimin e mjetit dhe janë vënë në ndjekje të tij. Forcat e Policisë, i kanë bërë me shenjë drejtuesit të mjetit të ndalonte, por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka braktisur mjetin në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq, brenda të cilit janë konstatuar 30 emigrantë të paligjshëm.

Në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 3 në DVP Tiranë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit R. Ç., si autor i dyshuar i kësaj ngjarje”, sqaron policia e qytetit juglindor.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme hetimore, shkruan Euronews Albania.