AGK: Sulmi ndaj gazetarit Kajtazi, goditje e rëndë për lirinë e shprehjes

AGK: Sulmi ndaj gazetarit Kajtazi, goditje e rëndë për lirinë e shprehjes

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër sulmin me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net” Shkumbin Kajtazi.

AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë deklaruar se rasti është duke u hetuar.

Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë.

Në reagimin e AGK-së thuhet se është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi.

AGK konsideron që secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend.