VIDEO-Kosova ka avancuar shumë në aspektin e qeverisjes lokale

VIDEO-Kosova ka avancuar shumë në aspektin e qeverisjes lokale

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka nisur bashkëpunimin formal me Kongresin e Pushtetit Lokal dhe Rajonal të Këshillit të Evropës, me seli në Strasbourg, për promovimin e standardeve evropiane të demokracisë lokale.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se javën e kaluar është emëruar ekipi për këtë çështje. “Shumë shpejt do të fillojmë me analiza, po ashtu është miratuar edhe buxheti për këtë çështje”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij Kosova krahasohet mirë në aspektin e qeverisjes lokale. Ai përmendi se Kosova në shumë fusha ka përparësi.

“Është shumë me rëndësi që Kosova do të jetë pjesë në këtë bashkëpunim. Ne kemi lobuar për disa vite që të jemi pjesë në këtë vlerësim të tillë nga Kongresi i Pushtetit Lokal dhe Rajonal të Këshillit të Evropës, me seli në Strasbourg”, tha ai.

Ndryshe përmes këtij bashkëpunimi do të vlerësohet niveli i zbatimit të parimeve të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë, si dhe do të zhvillohet udhërrëfyesi për komunat dhe institucionet për të fuqizuar demokracinë lokale në Kosovë.

Përmes këtij bashkëpunimi do të ndihmohen komunat për të forcuar kapacitetet e tyre përmes shkëmbimit të praktikave më të mira me komuna në vendet e BE-së.