Tiranë: Qeveria ngre Taskë-Forcë për monitorimin e masave anti-Covid

Tiranë: Qeveria ngre Taskë-Forcë për monitorimin e masave anti-Covid

Qeveria ka ngritur Task-Forcë për të ndjekur në terren zbatimin e masave anti-Covid, sidomos mbajtjen e maskave në mjedise të hapura dhe të mbyllura.

Task-Forca u prezantua sot gjatë një takimi që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në lulishten pas Kryeministrisë me anëtarë të saj.

Gjatë një fjalimi të gjatë, Rama u zotua se masat e marra nga qeveria kanë qenë të nevojshme për të ndalur prirjen e përhapjes së koronavirusit dhe që prej fillimit ka qenë në koherencë me politikat e marra edhe nga vendet e tjera.

Ai u ndal gjatë të hidhte poshtë qëndrimet me konspiracione kundër masave dhe kundër vaksinave, ndërsa shpjegoi se detyrimi për mbajtjen e maskës edhe në mjediset e hapura ishte e domosdoshme pasi prirja e infeksionit po bëhet shqetësuese, njofton euronews.albania.

“Virusi nuk ikën vetë, do kërkojë kohë, vaksina nuk ka dalë, nuk e dimë kur do të dalë... ajo që kemi ne në dorë është të ulim intensitetin dhe të mos bëjmë atë që njerëzit bënë në vitin 1918, kur pas valës së parë fituan lirinë dhe nga 50 milionë të vdekur, 80% e tyre i mori vala e dytë, sepse kishte dhe një valë të tretë më pas, por atëherë ishin nxjerrë mësime dhe nuk bëri njeri numra, të mos e bëjmë atë, nuk jemi në vitin 1918 për një katastrofë të tillë,” – u shpreh Rama.

“Kur e vë maskën, nuk ndihem as i gëzuar as i çliruar, përkundrazi, i bezdisur dhe nuk e vë nga frika se do më ndalojë policia, por sepse është detyrim thelbësor, njerëzor dhe qytetar për të mos u bërë shkak që të tjerët të marrin infeksionin në rast se e marr unë, por edhe për të kontribuuar që të gjithë së bashku të bëjnë gjënë e duhur,” – tha Rama duke theksuar se shteti nuk është palë tjetër por e përbashkët me qytetarët dhe gjithë botën në sfidat që po hasen nga pandemia.

Kryeministri këmbënguli se deri më sot në përballimin e situatës së pandemisë “në asnjë sekondë nuk ka pasur probleme për oksigjen, apo medikamente”. Ai hodhi poshtë pretendimet se kapacitetet spitalore janë tejmbushur.

Sipas Ramës “as 1/4-ta e kapaciteteve nuk janë mbushur”, por masat duhen "që këto kapacitete të mos mbushen më shpejt".

Kryeministri thumboi më tej opozitën për qëndrimet e mbajtura kundër qeverisë duke thënë se “Zoti e deshi Shqipërinë se koronavirusi nuk erdhi kur nuk i kishin në dorë ata gjërat, sepse atëherë nuk do të dinim të thoshim kush është e keqja më e madhe, COVID-i apo ata”.

Duke u kërkuar anëtarëve të Taks-Forcës që ta kryejnë me përkushtim “misionin humanitar” të kontrolleve të masave, Rama citoi në fund fjalë të kancelares Angela Merkel e cila ka bërë thirrje që "qytetarët të kujdesen më shumë për të afërmit e tyre", "të jenë më të kujdesshëm për të respektuar masat" sepse “momenti është tani”.