Kryemadhi: Me Kodin e ri Zgjedhor, opozita e bashkuar fiton 100 deputetë!

Kryemadhi: Me Kodin e ri Zgjedhor, opozita e bashkuar fiton 100 deputetë!

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi sot përpara gazetarëve se opozita e bashkuar fiton 100 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit me Kodin e ri Zgjedhor të bërë nga mazhoranca socialiste.

Ajo deklaroi se fuqia e opozitës është e jashtëzakonshme kundër pesë njerëzve, që sipas saj, po grabisin Shqipërinë.

“Të jeni të bindur që fuqia e opozitës nuk matet me çështjet e taktikave elektorale. Fuqia e grupimeve të të majtës dhe të djathtës, që nuk është thjesht një strukturë e majtë apo e djathtë, por është gjithë fuqia e spektrit politik ndaj një grupi me pesë vetë, që po grabit Shqipërinë. Deri më 5 dhjetor, kur do të jetë Konventa e LSI, që do të marrë dhe vendimin për të vazhduar më tej, nuk mund të flas. Ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi, sepse qëllimi i shqiptarëve është çlirimi i Shqipërisë nga thundra kriminale. Ajo që unë mendoj sot dhe që e hasim çdo ditë me qytetarët është se një nga problemet e mëdha të tyre nuk është si do zgjidhen deputetët, por ekonomia, mungesa e punës, si dhe shpopullimi, largimi i fëmijëve dhe mosdëshira për t’u kthyer në Shqipëri. Të jeni të bindur që me Kodin e Edi Ramës opozita merr 100 deputetë. Por një ditë tjetër do ua shpjegoj formulën, kur të kemi dhe një dërrasë të zezë”, deklaroi Kryemadhi.