Dendias: Optimist edhe për zgjidhjen e ligjit të luftës

Dendias: Optimist edhe për zgjidhjen e ligjit të luftës

Gjatë takimit me Edi Ramën, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pohoi se çështja e detit Shqipëri-Greqi do të shkojë në Gjykatën e Hagës për të marrë një zgjidhje.

"Zgjidhja e kësaj divergjence do të jetë e dobishme për të dyja vendet. Zgjidhja do të këtë si bazë marrëveshjen e OKB, që të dyja vendet kemi nënshkruar. Jam shumë i lumtur të përsëris atë që kryeministri sapo tha, se duke e analizuar këtë çështje ne kemi rënë dakord që së bashku ta kalojmë këtë çështje në gjykatën e Hagës," tha Dendias. 

Ministri Dendias falënderoi kryeministrin shqiptar Edi Rama për mikpritjen dhe u shpreh i kënaqur për marrëdhëniet midis dy vendeve.

"Gjithashtu diskutuam edhe në marrëveshjen që Shqipëria dhe Greqia ka në 1996 dhe ramë dakord se marrëveshja e '96 ka nevojë për thellim dhe dinamizëm që të ecim së bashku në një marrëveshje të re për sa i përket partneritetit strategjik të dy vendeve. Do të bëjmë një mbledhje qeveritare dhe të krijojmë një mekanizëm mes dy vendeve," shtoi ministri grek.

Duke folur për "ligjin e luftës" ministri i jashtëm Nikos Dendias tha se kjo çështje ishte referuar dhe do të zgjidhej së shpejti, njofton euronews.albania. 

“Prezenca ime sot këtu synon pikërisht në nënvizimin e një agjende dinamike dhe pozitive të marrëdhënieve tona. Ne kemi një vullnet shumë të fuqishëm që ti çojmë këto marrëdhënie akoma më lart dhe të zgjidhim në një klimë të një respekti dhe besimi reciprok të gjitha ato gjëra që kanë mbetur pezull”,- u shpreh ai.

Minoriteti grek që jeton në Shqipëri dhe mijëra qytetarë shqiptar që jetojnë dhe punojnë në Greqi u cilësuan nga Dendias, si ura lidhëse duke qenë se sipas tij të dyja palët kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.