Ministri grek në Tiranë, protesta për Çamërinë

Ministri grek në Tiranë, protesta për Çamërinë

Shoqata “Çamëria” dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) kanë organizuar një protestë me rastin e vizitës në Shqipëri të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, pasi sipas tyre vizita “nuk parashikon asnjë nga çështjet që shqetësojnë shqiptarët, por çon përpara axhendën greke”.

Me sloganin “Mos prek Shqipërinë” dhe “Mos harro Çamërinë” dhe me pankarta me mbishkrimet “Çamëria është gjallë” dhjetëra qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar para selisë së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, protestë e cila është shoqëruar edhe me përplasje me forcat e policisë.

Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestën, pasi nuk kishte dhënë lejë për mbajtjen e saj për shkak të pandemisë COVID-19, ndërkohë forcat e policisë shoqëruan edhe disa protestues.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në deklaratën për mediat gjatë protestës tha se “çështjet kombëtare, heqja e ligjit të luftës, çështja çame, çështja e detit dhe të tjera zgjidhen dhe do të marrin zgjidhje vetëm kur shteti shqiptar t’i trajtojë me dinjitet dhe me reciprocitet”.

“Është për të ardhur keq për këtë situatë këtu, për këtë shtetrrethim të bërë nga policia e Shqipërisë. Është një veprim totalisht i paarsyeshëm. Nuk lejohemi të bëjmë një protestë paqësore për t’i kujtuar ministrit të Jashtëm grek kur do të heqin ligjin e luftës me Shqipërinë sepse këtu po bëhet një situatë lufte, kur do të kërkojnë falje për tragjedinë mbi shqiptarët e Çamërisë, mbi okupimin e Çamërisë, mbi të drejtat e tyre dhe për shumë çështje të tjera”, u shpreh Idrizi.

Protesta është mbështetur edhe nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri e cila theksoi se mbështet tubimin paqësor për të kërkuar drejtësi dhe reciprocitet në raportet bilaterale me Greqinë, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek.

Sipas qendrës, Qeveria e Shqipërisë ka për detyrë t’u paraqesë përfaqësuesve të shtetit grek kërkesat legjitime për shfuqizimin e ligjit të luftës, njohjen e gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, njohjen e pakicës autoktone shqiptare në Greqi, hapjen e shkollave shqipe në bazë të konventave evropiane dhe çështje që lidhen me të drejtat e emigrantëve.

PDIU që mbron të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë ka kërkuar vitet e fundit që pjesë e bisedimeve Shqipëri-Greqi për çështjet e hapura të jetë edhe zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

Kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë ato të lëvizjes së lirë, të gëzimit të pronave të tyre dhe të njohjes dhe pranimit të gjenocidit grek.

Gjithashtu drejtuesit e PDIU-së më parë kanë kundërshtuar deklaratat dhe pretendimet e Greqisë se planifikon të zgjerojë ujërat territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje, me argumentin se ky pretendim “afekton marrëveshjen e pritshme mes Shqipërisë dhe Greqisë për zonat ekonomike”.

Kryediplomati grek gjatë vizitës në Shqipëri është takuar me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, si dhe do të takohet me presidentin e vendit, llir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë, ndërkohë Rama dhe Dendias do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat./AA


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare