PD: Rama po mundohet t’iu hedhë hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat

PD: Rama po mundohet t’iu hedhë hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat

Partia Demokratike përmes Dorjan Telitit ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama se mbështetja financiare ndaj bujqësisë nga qeveria gjatë këtyre 7 viteve është rritur trefish.

Në një postim në “Facebook”, Teliti theksoi se kreu i qeverisë jo vetëm që ka shkelur premtimet e bëra për fermerët, por edhe iu ka shtuar atyre taksa, duke i çuar në prag të kolapsit.

Demokrati shtoi mes të tjerash se fermerët po përballen sot me taksa e kosto të larta, kalbje prodhimesh të pashitura dhe mungesë të plotë të mbështetjes nga shteti.

“Pasi ka dështuar të japë llogari për premtimet e pambajtura për bujqësinë, ER orvatet t’u hedhë hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat e larta dhe mungesa e mbështetjes konkrete për to. Në 2013 premtoi naftë pa akcizë për fermerët, por u shtoi edhe taksën e qarkullimit 24 lek/litër. Vetëm nga kjo taksë absurde që s’ka asnjë lidhje me bujqësinë, fermerët kanë paguar rreth 100 milion euro në 7 vitet e qeverisjes së tij. U premtoi fermerëve 40 milion euro investime në vit, por nuk ka financuar as gjysmën e tyre. Ndërsa 70% e fondeve të akorduara janë dhuratë nga Bashkimi Europian. Bilanci i vërtetë i ER në bujqësi është ky: •rreth 100 milion euro taksë qarkullimi paguar nga fermerët në shtatë vite; •70% të fondeve për bujqësinë i përfitojnë 50-60 grosistë; •2% e fermerëve kanë marrë mbështetje, ndërsa 98% e tyre nuk e kanë parë dorën e ndihmës nga shteti; •30-40% më e lartë është kosto e prodhimit krahasuar me rajonin; •30% më i ulët është rendimenti i prodhimit bujqësor e blegtoral, krahasuar me rajonin; •2/3 e tokës nuk kanë akses në ujitje e kullim; •Vetem 2,8% e fermave kane traktore apo mjete te mekanizuara. Fermeri shqiptar nuk lexon grafikët e vizatuar nga propaganda. Fermeri shqiptar lexon xhepat e tij të shpuar nga taksat e larta, kostot e larta, kalbja e prodhimeve të pashitura dhe mungesa e plotë e mbështetjes nga shteti.”/VP