Pas lëndimit, Van Dijk merr edhe këtë lajm shumë të keq

Pas lëndimit, Van Dijk merr edhe këtë lajm shumë të keq

Sezoni për Virgil Van Dijk mund të quhet i përfunduar, por mbrojtësi holandez rrezikon të humbasë edhe Evropianin në verën e ardhshme, pasi dëmtimi i ligamentit të gjurit të tij mund të jetë edhe më serioz sesa mendohej.

Ndërhyrja e pakujdesshme e portierit të Evertonit, Jordan Pickford, në derbin e së shtunës së shkuar i shkaktoi një lëndim të gradës së tretë të ligamentit anterior qendërmbrojtësit të Liverpoolit sipas “Mirror”.

Kjo do të thotë se ligamenti i tij është ndarë në gjysmë. 29-vjeçari është ende në pritje për t’iu nënshtruar operacionit, i cili nuk dihet kur do të kryhet.

Por, sipas gazetarit të “The Athletic”, David Ornshtain, lëndimi është edhe më serioz sa ishte menduar më parë.

Sipas informacioneve të tij, problemi shkon përtej ligamentit dhe jo vetëm që mbrojtësi nuk do të luajë më këtë sezon për kampionët e Anglisë, por ai rrezikon të qëndrojë 1 vit jashtë, duke humbur edhe Evropianin e vitit 2021.