Reshitaj: Mbyllja totale e vendit nuk është zgjidhje, të respektohen masat
Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, me profesion mjeke, në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se mbyllja totale e vendit nuk është zgjidhje as për qytetarët e as për përgjegjësit shtetërorë.
“Kjo do të hendikponte vendin, do të ulte edhe zhvillimin ekonomik, do të thëllonte edhe më shumë krizën. Mbyllja do të ishte skenari i fundit i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Reshitaj.
Ajo ju ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që të japin maksimumin dhe të bëjnë plane konkrete për tejkalimin e kësaj situate.
“Ne duhet ta implementojmë ligjin për pandeminë dhe të monitorojmë punën e përgjegjësve që duhet të zbatojnë ligjin”, ka thënë Reshitaj.
Sipas saj, Kosova është duke hyrë në një fazë më të rrezikshme, prandaj thirrja e saj ishte që qytetarët të zbatojnë masat duke filluar nga mbajtja e maskave, distanca dhe higjiena.
“Mos të tubohemi, mos të ketë grumbullime të shumë njerëzve”, ka thënë ajo. /RTKLive/























