Betohen dy prokurorë, kreu i KLP: Shifrat e të rënëve në veting

Betohen dy prokurorë, kreu i KLP: Shifrat e të rënëve në veting

Gjatë ceremonisë së betimit të dy prokurorëve të rinj, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, theksoi se shifrat e të shkarkuarve, nga vetingu, i ngjanin një bilanci lufte.

Ai garantoi dy anëtarët të rinj të prokurorisë për pavarësi dhe mbrojtje nga KLP-ja.

Pak para se të betoheshin mbi Kushtetutë, dy prokurorë të rinj dëgjuan kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, t’u thoshte se po hynin në sistem në një kohë të vështirë, njofton a2news. 

“Për fat të keq, lajmet nga sistemi i drejtësisë vazhdojnë t’i ngjajnë një buletini lufte, me shifra për numrin e të rënëve në vetting, me vështirësi dhe problematika që shkaktohen qoftë nga rënia drastike e numrit të magjistratëve, qoftë nga problemet e trashëguara, rregullatore e infrastrukturore, qoftë edhe nga besimi ende i lëkundur i shoqërisë te sistemi i drejtësisë”.

Duke përmendur reformimin rrënjësor të drejtësisë, Ibrahimi motivoi prokurorët më të rinj të sistemit. 

“Vetëm për të përmendur disa syresh, do të doja të kujtoja se, që në ditën tuaj të parë të punës, ju paguheni sa, ose më shumë se Presidenti i Republikës. Ju nuk do të jeni kurrë vetëm në jetën tuaj profesionale si prokurorë, do keni gjithmonë në krah KLP”.

Pasi kryen betimin, Enkeleda Hoxha do të ushtrojë detyrën në Prokurorinë e Kukësit, ndërsa Gazmend Frëngu në atë të Pogradecit.