Celibashi takon përfaqësues të shoqërisë civile

Celibashi takon përfaqësues të shoqërisë civile

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, priti në takim përfaqësues të shoqërisë civile, Megi Reçi, koordinatore e projektit Civil Rights Defenders (CRD) zyra e Shqipërisë, Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike (ISP) dhe Erida Skendaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH).

Mbështetja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për projektin “Unë marr Pjesë! Zëri im. Vota ime Vlen!”, ishte fokusi i takimit. Ky projekt do të zbatohet për zgjedhjet parlamentare 2021, nga tre organizatat e shoqërisë civile CRD, ISP dhe KSHH, dhe synon të fuqizojë qytetarët dhe shoqërinë civile që të angazhohen, të promovojnë, të advokojnë dhe monitorojnë proceset demokratike.

Projekti synon gjithashtu krijimin e një aplikacioni celular (mobile app), që do të shërbejë si një platformë informuese për qytetarët, por edhe si mundësi që ata të raportojnë parregullsi/shkelje në lidhje me procesin zgjedhor.

Celibashi u shpreh se do të intensifikohen marrëdhëniet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore. Shoqëria Civile është partner i rëndësishëm i KQZ-së, ndaj në të ardhmen synohet institucionalizimi i këtij bashkëpunimi.

Komisioneri konfirmoi angazhimin e tij, për të ofruar transparencë maksimale të veprimtarisë së KQZ-së dhe për të punuar ngushtësisht pa asnjë lloj kufizimi me aktorët e shoqërisë civile të përfshirë në procesin zgjedhor./ATSH


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare