Ky është kosovari që u arrestua në Serbi (Foto)

Ky është kosovari që u arrestua në Serbi (Foto)

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD) ka bërë të ditur se në Serbi është arrestuar shtetasi kosovar, Agim Gjocaj.

Gjocaj u arrestua në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë.

Ballkani.info mëson se Agim Gjocaj është nga fshati Baballoq i Deçanit.

Po ashtu Ballkani.info e ka siguruar edhe një fotografi të Agim Gjocajt, ndërsa merr vesh se ai nuk ka qenë fare në luftë dhe as pjesëtar i UÇK-së.

Ndërkaq MPJD ka kërkuar nga Serbia lirimin e menjëhershëm të Agim Gjocajt si dhe të Nezir Mehmetajt, i cili po vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj. Po ashtu, kjo ministri thekson se akuzat e pretenduara ndaj tyre janë të pabaza, të qëllimshme dhe të motivuara politikisht.

“MPJD i bën thirrje Brukselit dhe shteteve të Grupit Quint, që të adresojnë këtë shqetësim tek autoritetet në Beograd, që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, të ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Ëashingtonit për Normalizim Ekonomik. Politika e vjetër e Serbisë me në krye Vuçiqin, vazhdon të sillet në shpërputhje me të gjitha vlerat evropiane ku aspirojnë dhe në kundërshtim me deklaratat që bëjnë përpara faktorit ndërkombëtar për kinse ‘angazhim e gatishmëri’ drejt procesit të normalizimit të plotë me Kosovën dhe fqinjësi të mirë në rajon. Këto veprime, janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste. Andaj, duke i pasur parasysh këto rrethana, MPJD i përsëritë thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht, thuhet në njoftimin e MPJ-së”, thekson kjo ministri.