Shqiptarët më pesimistë lidhur me pritshmëritë për të ardhmen
BKT
Shqipëri

Shqiptarët më pesimistë lidhur me pritshmëritë për të ardhmen

Shqiptarët janë më pesimistë se mesatarja botërore, kur vjen puna te pritshmëritë për të ardhmen.

Kjo ka rezultuar pas një sondazhi botëror të zhvilluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me rastin e 75-vjetorit të OKB-së.

Pyetjes “Në tërësi, a mendoni se njerëzit në 2045 do të jenë më mirë, më keq, ose njësoj në krahasim me atë që janë sot?”, 46% e shqiptarëve i janë përgjigjur më keq. Kjo përqindje është më e lartë sesa mesatarja botërore, ku 32% e të anketuarve në rang global i janë përgjigjur që mendojnë të jenë më keq, njofton euronews.albania.

Të pyetur: “Çfarë duhet të shohë me prioritet komuniteti ndërkombëtar për një rikuperim më të mirë nga pandemia?”.

Tridhjetepesë përqind u përgjigjën “Të rimendohet ekonomia globale”, ndërsa 33% u përgjigjën “T’i jepet prioritet aksesit universal në kujdesin shëndetësor”.

Pyetjes “Duke e parë në planin afatgjatë, nëse imagjinoni botën që dëshironi pas 25 vjetësh, cilat janë  gjërat që do të donit të shihnit më shumë?”.

Dyzet e dy përqind u përgjigjën “Më shumë mundësi punësimi”.

“Është detyra e të gjithë aktorëve në vend të punojnë më shumë dhe t’u japin shpresë të rinjve, shërbime më të mira, mundësi më të mira arsimi, angazhim të të rinjve në proceset e politikëbërjes dhe mundësi punësimi”, përfundoi Koordinatorja e Përhershme e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.


MË SHUME NGA Shqipëri