Shqipëria kthen katër fëmijë dhe një grua nga Siria

Shqipëria kthen katër fëmijë dhe një grua nga Siria

Katër fëmijë dhe një grua do të kthehen në Shqipëri nga kampi al-Hol i Sirisë, ku kanë qëndruar për rreth dy vjet.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vetë do të niset për në Liban, për të marrë pjesë në riatdhesimin e tyre.

“Operacioni është ndarë në dy faza, pasi janë zhvilluar negociata të pafundme sekrete. Në këtë fazë të parë, që është në zbatim tani që flasim, shpresojmë që me ndihmën e Zotit të kthejmë katër fëmijë dhe një nënë të plagosur, në kushte shëndetësore të vështira. Ndërkohë, për fëmijët e tjerë do të bëhet faza e dytë. Uroj dhe shpresoj që do t’ia dalim t’i kthejmë fëmijët”, tha Rama për një media vendore në Shqipëri.

Kampi al-Hol drejtohet nga kurdët dhe aty mbahen të burgosur që dikur kanë qenë pjesë e grupit militant Shtetit Islamik ose familjarë të tyre.

Kryeministri Rama tha se operacioni për kthimin e fëmijëve në Shqipëri është shumë kompleks.

“Ju e dini se sa komplekse është situata, se sa të ngatërruar janë ekuilibrat e forcave në atë territor; ju e dini se çfarë është ai kamp i tmerrshëm dhe e dini që neve na duhet të kalojmë përmes kanaleve nga më të ndryshmet, pasi që nuk kemi një kanal të drejtpërdrejtë me Qeverinë e Damaskut”, tha Rama.

Shtetasit shqiptarë që do të riatdhesohen janë në mesin e mbi 60 mijë banorëve të kampit al-Hol, shumica e të cilëve janë sirianë, irakianë dhe një pakicë e tyre nga vendet e tjera, prej nga kishin shkuar dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj, për t'iu bashkëngjitur grupit militant Shteti Islamik, në synimin e tij për të krijuar një kalifat islamik.

Që nga viti 2012, rreth 100 shqiptarë nga Shqipëria i janë bashkëngjitur organizatës terroriste.

Nga ta mendohet se rreth 40 janë kthyer në Shqipëri, ndërkohë që për pjesën tjetër nuk është e ditur vendndodhja.

Shqipëria është vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor që po bën riatdhesimin e ish-pjesëtarëve të Shtetit Islamik ose familjarëve të tyre nga kampi al-Hol.

Para më shumë se një viti, Kosova ka riatdhesuar 110 shtetas së saj - shumica e të cilëve fëmijë dhe gra.

Ky veprim i Shqipërisë vjen pas paralajmërimeve të autoriteteve kurde që e udhëheqin kampin al-Hol se do ta mbyllin atë, për shkak të gjendjes së vështirë të sigurisë dhe kanosjes së pandemisë së koronavirusit./REL


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare