Komisioni Hetimor për procesin e privatizimit, pistë hetimi për prokurorinë

Komisioni Hetimor për procesin e privatizimit, pistë hetimi për prokurorinë

Anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit në Kosovë, Sejdi Hoxha, tha se të gjeturat e këtij komisioni pritet të jenë pistë e hetimit për prokurorinë dhe gjyqësinë. Në një intervistë për Radio Kosovën ai tha se pasi të përfundojnë intervistimet e dëshmitarëve, komision do ta ftojë gjyqësinë për bashkëpunim.

Radio Kosova: Zoti Hoxha, si është duke shkuar puna në Komisionin Hetimor Parlamentar për Privatizim?

Sejdi Hoxha: Ideja e këtij komisioni është pikërisht që të nxjerrim në dritë të gjitha privatizimet që kanë ndodhur në Kosovë. Kush janë personat që kanë privatizuar, cila është lidhja e tyre me partitë politike në Republikë e Kosovës si dhe a kanë pasur ndikim partitë politike apo grupe të interesit në këto procese të privatizimit. Përveç kësaj, në këtë komision do të hetojmë edhe faktin se a është ndërruar veprimtaria  e ndërmarrjes publike apo shoqërore që është privatizuar, si dhe a janë përmbushur obligimet kontraktuale mes të AKM-së apo AKP-së. Këto do të jenë disa nga segmentet që ne do t’i hetojmë në këtë komision për privatizim.

Radio Kosova: A keni qëndrim të unifikuar pozitë - opozitë në këtë komision për sa u përket të gjeturave rreth procesit të privatizimit?

Sejdi Hoxha: Realisht komisioni është duke shkuar mirë , jemi aktivë pothuajse të gjithë në përjashtim të disa deputetëve që po mungojnë në takime. Ne jemi në fazën e intervistimit të dyshimtarëve. Kemi një numër të madh të dëshmitarëve dhe ky proces po merr një kohë jashtëzakonisht të gjatë për të intervistuar, ndodh që kemi dëshmitarë që na duhen mbi dy orë për intervistim për të nxjerrë informacione që janë relevante dhe të rëndësishme për punën e komisionit. Aktualisht jemi unikë si komision, me punë profesionale.
 

Radio Kosova: Komisioni Evropian ka dhënë vërejtje për punën e komisioneve hetimore? Cilat janë pritjet tuaja nga ky komision dhe a mund të ndodhë që edhe ky ta ketë fatin e komisioneve të tjera duke mos pasur rezultate konkrete?
 

Sejdi Hoxha:  Do të vijmë deri të një raport final, për të cilin jemi të interesuar  që ta bëjmë sa më transparent. Ne kemi lënë të hapur komunikimet edhe me qytetarët e Kosovës të cilët kanë mundësi që shqetësimet apo dokumentet e tyre që i kanë lidhur me privatizimin, t’i dërgojnë në adresë të komisionit. Vetë fakti që shumë lajme janë prodhuar këto ditë për procesin e privatizimit. të jep të kuptosh se puna e këtij komisioni ka filluar të shihet në publik. Janë duke qarkulluar emra të privatizimit dhe çmime të këtyre tokave bujqësore apo ndërmarrjeve publike e shoqërore. Ne do ta bëjmë punën tonë dhe besoj se edhe organet gjyqësore do t’i bashkohen procesit tonë aty ku shihet se nuk ka përmbushje  të kontratave, abuzim,  ku nuk janë përmbushur kriteret kontraktuale, ku është ndërruar destinimi nga ajo që është privatizuar në biznes tjetër, dhe për këto raste duhet të merret edhe drejtësia. Por e jona është që ne ta bëjmë punën profesionale dhe t’i informojmë drejt dhe qytetarët e Kosovës.

Radio Kosova: Keni paralajmëruar se do të publikoni të gjeturat e këtij komisioni. Për çfarë të gjeturash bëhet fjalë. Po ashtu keni deklaruar se do të bashkëpunoni me organet e drejtësisë, a vazhdoni  ta mbani ende këtë qëndrim?

Sejdi Hoxha:  “Para se të përmbyllin hetimin parlamentar në Komision, ne do t’i marrim disa mostra për disa ndërmarrje më problematike dhe më të përfolura. Për këtë kemi angazhuar disa ekspertë ekonomikë dhe juridikë dhe do ta analizojmë procesin në tërësi. Normalisht që nga ky hetim do të nxirren edhe të gjetura të cilat mund të jenë pistë e hetimit edhe për prokurorinë dhe gjyqësinë.

Radio Kosova: Sa ndërmarrje shoqërore janë hetuar deri më tani në kuadër të këtij procesi?

Sejdi Hoxha:  Janë mbi 2 mijë procese të privatizimit që kanë ndodhur në Kosovë. Ne i kemi marrë te gjitha nga AKP dhe jemi duke i shqyrtuar e po ashtu intervistuar dëshmitarët. Është numër jashtëzakonisht i madh i pronave të privatizuara, por ne do të fokusohemi në ato që kanë probleme më të mëdha në procesin e privatizimit qoftë në ndryshim të destinacionit, qoftë në mospagesë ndaj punonjësve të ndërmarrjeve. Po ashtu do t’i analizojmë edhe kriteret e vlerësimit  se kur është privatizuar kompania a i ka plotësuar të gjitha kriteret që janë të vendosura nga AKP.

Në fund, deputeti i PDK-së dhe anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit, Sejdi Hoxha, tha se Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryetari Kadri Veseli, është ai që ka iniciuar këtë komision hetimor. “Për 20 vite të tëra faturën për procesin e privatizimit e ka paguar pothuajse vetëm PDK, duke u atakuar nga të gjitha partitë politike, veçanërisht në fushata zgjedhore, dhe për këtë çështje kemi dashur që ta sqarojmë opinionin publik dhe t’i nxjerrim me emra e mbiemra  kush janë ata që kanë privatizuar. E kemi thënë se ka me qenë befasi për qytetarët e Republikës së Kosovës kur ta kuptojnë se bash ata që kanë folur më së shumti kundër procesit të privatizimit, janë persona që kanë privatizuar prona, toka, ndërmarrje publike apo shoqërore”!.

Autor: Arbenita Marmullaku


MË SHUME NGA Intervista