MSH: Do të vazhdojë mësimi online, konviktet të mbyllura

MSH: Do të vazhdojë mësimi online, konviktet të mbyllura

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në daljen publike për mediat, e nxitur nga rastet e shumta me Covid gjatë ditëve të fundit, ka bërë me dije se Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbylljen e pjesshme për aktivitete e lokaleve, bareve e në zonën e Bllokut në Tiranë si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

“Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjate orëve të natës”, tha Rakacolli.

Zv/ ministrja e Shëndetësisë ka thënë se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve të cilat përkojnë me hapjen e shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.

“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne tirane. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendeshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.

Rakacolli ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.
“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.

Gjithashtu zv/ Ministrja e Shëndetësisë, Rakacolli ka bërë me dije vendimin e marrë unanimisht nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për zhvillimin e mësimit online nga strukturat universitare.

“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komitetin Teknik i Eksperteve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Europe, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë pa prezence fizike të paktën për muajin e parë të hapjes duke vlerësuar situatën ne dinamike. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, u shpreh Rakacolli.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare