Rritja e rasteve me COVID 19, Shqipëria i rikthehet masave kufizuese

Rritja e rasteve me COVID 19, Shqipëria i rikthehet masave kufizuese

Shqipëria i rikthehet masave shtrënguese pas përkeqësimit të situatës së pandemisë COVID 19. Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri të ditur sot se ka propozuar “që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli.

Komiteti, siç shpjegoi zonja Rakacolli “po vlerëson edhe mbylljen e pjesshme të bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”.

Vendimi vjen pas një rritje të ndjeshme të rasteve të reja në dy javët e fundit ku “incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht janë rreth 500 vatra aktive në vend, 35 përqind e të cilave janë përqëndruar në Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, shpjegoi zonja Rakacolli, transmeton VoA.

Po sot Banka e Shqipërisë njoftoi se guvernatori Gent Sejko ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit. “Guvernatori Sejko është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka filluar karantinimin e detyrueshëm”, bëri të ditur Banka, duke motivuar mungesën e tij në konferencën ndërkombëtare të përvitshme të organizuar nga institucioni më i lartë financiar i vendit e që këtë herë kishte në fokus pikërisht ndikimin e pandemisë COVID 19 në ekonomi. Edhe ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njoftoi gjithashtu se “ministrja Belinda Balluku, rezultoi pozitiv pas testimit për COVID 19. Ministrja është në gjendje të mirë shëndetësore, paraqet simptoma të lehta dhe ka nisur karantinimin sipas protokollit përkatës”.

Të dhënat e 24 orëve të fundit treguan një numër sërish të lartë të viktimave, me 6 qytetarë që kanë humbur jetën: në 2 spitalet Covid: një 61 vjeçar nga Korça, një 67 vjeçar nga Pogradeci, një 69 vjeçar nga Lezha, një 71 vjeçar nga Vlora, një 73 vjeçar nga Fieri dhe një 74 vjeçar nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Rastet e reja shënuan një rënie me 275 qyteratë të cilët rezultuan pozitivë nga 1422 testime. Prej tyre 60 përqind janë konfirmuar në Tiranë. Ndërkohë, numri i të shtruarve në spitale, ka vijuar tendencën rritëse, duke arritur ne 291 pacientë, me 13 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

 


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare