Ylli triumfon ndaj Ponte Prizrenit

Ylli triumfon ndaj Ponte Prizrenit

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në udhëtim, duke mundur Ponte Prizrenin me rezultat 77:85 (21:16, 24:25, 16:20, 16:24), në kuadër të javës së parë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja ishte interesante nga fillimi me të dy skuadrat që luftuan për të treguar se kanë hyrë për fitore. Vendasit ishin më të mirë në çerekun e parë, duke fituar me rezultat 21:16. Lojë më e barabartë u zhvillua në periudhën e dytë, që përfundoi 24:25, duke treguar se sa e barabartë ishte kjo pjesë, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 45:41 për Ponten.

Por, në pjesën e dytë më të mirë ishin mysafirët nga Suhareka. Ylli arriti që të fitojë periodën e tretë 16:20, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 61:61, duke bërë që 10 minutat e fundit të ishin vendimtare. Rezultati ishte i përafërt deri në minutën e pestë të kësaj pjese kur nga 71:70, Ylli hyn në një seri prej 0:8, duke kaluar në epërsi 71:78 dhe epërsinë e ruajti deri në fund për të triumfuar 77:85.

Te Ponte Prizreni u dalluan Justin Jones dhe Ty Nichols me nga 22 pikë dhe Arti Hajdari me 19, kurse te Golden Eagle Ylli më të mirët ishin Samir Zekiqi me 26 pikë dhe Cody John me 22 sosh.