Anglia në zi, shuhet legjenda e “Djajve të Kuq”

Anglia në zi, shuhet legjenda e “Djajve të Kuq”

Nobby Stiles ishte një legjendë e Manchester United dhe futbollit anglez. Ish-mesfushori i njohur është ndarë nga jeta ditën e sotme, në moshën 78-vjeçare.

Prej kohësh po luftonte me një sëmundje të rëndë, të cilën nuk ia doli dot ta mposhtë.

Po kush ishte Stiles? Probleme të mëdha në fëmijëri, teksa një moment theu të gjithë dhëmbët nga një rrëzim që pësoi. Më pas vuajti me sytë dhe në fushën e blertë luante me lente kontakti, kjo prej faktit të ishte miop.

Gjithsesi, ai vraponte sa për gjithë skuadrën dhe ishte një “bishë” përballë kundërshtarëve. Te “Djajtë e Kuq” luante përkrah George Best dhe Bobby Charlton, skuadër me të cilën fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 1968.

Dy vite më parë kishte triumfuar edhe me kombëtaren e Anglisë në Botërorin e luajtur në shtëpi, triumfi i parë dhe i vetëm i “Tre Luanëve”. Ish-mesfushori punoi më pas si trajner moshash te United.

Stiles kreu një punë madhështore, kishte një nuhatje për të zbuluar talente dhe nga duart e tij kaluan emra si David Beckham, Ryan Giggs, Paul Scholes dhe vëllezërit Neville, të cilët shkruan historinë më pas me Alx Ferguson në bankinë.