Ligat evropiane rikthehen me përballje të “nxehta”

Ligat evropiane rikthehen me përballje të “nxehta”

Pas një disfate të rëndë kura më e mirë në sport është fitorja në takimin e radhës.

E në fakt edhe Barcelona pas humbjes me Realin në “El Clasico”, për më tepër brenda në “Camp Nou” reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mposhtur Juventusin brenda në Torino në Champions.

Pavarësisht se mungonte ylli portugez i bardhezinjve, Cristiano Ronaldo, Barça siguroi një fitore të madhe, e para në historinë e Kupave të Evropës në fushën e “zonjës së vjetër” dhe trajneri Ronald Koeman do të bëjë çmos që një triumf të tillë ta shfrytëzojë për të filluar një periudhë pozitive për skuadrën “blaugrana”.

11-metërshi tepër i diskutueshëm i akorduar pas një ore lojë në “Camp Nou” hapi polemika të mëdha dhe natyrisht influencoi ndjeshëm edhe në rezultatin e derbit të Spanjës. Barcelona nuk ka probleme për të shënuar dhe me lojtarët që ka në dispozicion sigurisht mund të perfeksionohet akoma më tepër, me synimin për të lehtësuar mbarëvajtjen apo administrimin e ndeshjeve ndaj çdo lloj kundërshtari, megjithatë është e qartë që 57-vjeçarin holandez e pret një mision shumë i vështirë për të përmirësuar ekipin në fazën mbrojtëse.

Me kampionët e Italisë skuadra “blaugrana” pati edhe doza të mëdha fati, për shkak të tre golave që iu anuluan sulmuesit Alvaro Morata për pozicion jashtë loje, gjithsesi fitorja ka ngritur ndjeshëm moralin e ekipit dhe gjërat në klubin e famshëm katalanas duket sikur po fillojnë të ndryshojnë.

Këtë fundjavë Presidenti i 40-ë në historinë e klubit pritej të përballej me një mocion votëbesimi, sidoqoftë ndryshe nga çfarë deklaroi të hënën, vetëm një ditë më pas në mbrëmje Josep Maria Bartomeu dha dorëheqjen bashkë me bordin drejtues të klubit.

57-vjecari nga Barcelona e nisi aventurën e tij plot lavdi, teksa Barça e Luis Enriques ia doli mbanë për të kompletuar tripletën e famshme, megjithatë gjërat precipituan shpejt dhe situata e klubit u përkeqësua ndjeshëm, gjë që u reflektua te gjendja financiare, politika kaotike në transferimin e shumë futbollistëve, por mbi të gjitha te zemërimi i kapitenit të skuadrës Lionel Messi, që i nxehur dhe i zhgënjyer nga dështimet e kohëve të fundit u bë gati të largohej nga klubi ku u rrit dhe fitoi gjithçka mund të fitohej.

Kalendari është i favorshëm për të mbledhur veten dhe për të hapur një cikël fitues. Në harkun e vetëm tetë ditëve Barcelona do të përballet me radhë me kundërshtarë si Deportivo Alaves, Dynamo Kyiv dhe Real Betis, ndërsa sfida e veçantë me Atletikon e Diego Simeones është programuar për t’u luajtur pas shkëputjes 2-javore që do të kenë futbollistët, për shkak të impenjimeve në skuadrat përfaqësuese respektive. Trajneri Ronald Koeman synon një skuadër dinamike, që të përshpejtojë ndjeshëm ritmin e lojës, gjithsesi është e qartë që për të kuptuar idetë e 57-vjeçarit holandez nevojitet kohë.

Faktet tregojnë që ky është starti më i dobët i Barçës në plot çerek shekulli. Në sezonin 1994-95 kur skuadra katalanase drejtohej nga i madhi Johan Cruyff dhe Ronald Koeman mbante shiritin e kapitenit në fushë Barcelona grumbulloi vetëm 5 pikë në 5 sfidat e para, gjithsesi asokohe fitorja vlente vetëm 2 pikë dhe rendimenti ishte i njëjtë, sepse ekipi “blaugrana” u mund nga Zaragoza e Gijoni dhe barazoi me Espanyol-in, ndërsa këtë radhë përpara humbjeve radhazi me Real-in dhe Getafe-n skuadra e Barçës mundi pa pësuar Villarreal-in e Celta-n dhe barazoi me Sevillan në shtëpi.

Edhe ekipi bask ka po aq pikë sa Barcelona në tabelën e renditjes, por gjithsesi skuadra katalanase që ka rrëshqitur në vendin e 12, ka luajtur dy ndeshje më pak. Takimi do të luhet në orën 21:00 në “Vitoria – Gasteiz” dhe trajneri holandez nuk ka në dispozicion mesfushorin brazilian Coutinho dhe mbrojtësin Umtiti, sidoqoftë Barça ka fituar 8 përballjet e fundit, ndërsa sezonin e kaluar Alavesi pësoi humbje të rënda me shifrat 4-1 dhe 5-0.

Në Itali takimi i mbrëmjes në orën 20:45 luhet në stadiumin “Dall’Ara”, ku Bologna do të presë Cagliari-n, ndërsa më herët në orën 18:00 Interi do të tentojë të marrë 3 pikët ndaj Parmës, pa sulmuesin kryesor Romelu Lukaku. Në mbrëmje në orën 21:00 në Le Championnat kampionët në fuqi të Paris SG do të vizitojnë Nantes në “Stade de la Beaujoire”, ndërsa në Eredivisie në orën 20:00 Ajaksi do të presë në Amsterdam Fortunën e Sitardit.

Në Primera Division interes paraqet dueli i orës 18:30 Osasuna – Atletico Madrid, ndërsa më herët në orën 16:15 në Vendet Baske do të luhet ndeshja Athletic Bilbao – Sevilla, raporton SS.

Si zakonisht nuk do të mungojë Bundeliga, që ofron në orën 15:30 duelin Koln – Bayern, ndërsa në orën 18:30 takimin Gladbach – Leipzig, ndeshje të cilat të gjithë të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet Kanalit Eurosport 2, ndërkaq pas problemeve të shumta në mbrojtje të të kuqve, pritet me shumë kureshtje gjithashtu edhe sfida e orës 18:30 në Premier League-s Liverpool – West Ham United.