Nis seanca e Kuvendit të Kosovës (Live)
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës ku deputetët pritet të mbajnë tri debate parlamentare dhe shqyrtojnë disa projektligje.
Të zgjedhurit e popullit do të diskutojnë lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore, sa i përket pengesave që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës.
Debati tjetër pritet të jetë në lidhje me personat e zhdukur, si dhe debati për sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.
Krahas kësaj deputetët do të shqyrtojnë në parim Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetaseve të huaj.
Ndërkaq, do të shqyrtojnë Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024. E po ashtu, do të shqyrtojnë raportin vjetor të Auditimit për vitin 2019.
Seanca e sotme është vazhdimësi e seancës së javës së kaluar.
Gjatë ditës së sotme do të diskutohet për këto pika:
-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-021 për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës,
-Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024,
-Debat parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës,
-Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për miratimin e buxhetit të këtij Komisioni Hetimor,
-Shqyrtimi i Raportit vjetor të Auditimit për vitin 2019,
-Debat parlamentar në lidhje me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbaj të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur,
-Debat parlamentar në lidhje me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.























