Depp humb betejën me “The Sun” pas akuzave për dhunë ndaj Amber Heard
Johnny Depp ka humbur betejën gjyqësore me median britanike “The Sun”, për një artikull që e përshkroi atë si dhunues ndaj ish-gruas së tij, Amber Heard. 57-vjeçari paditi botuesin e tabloidit, News Group Newspapers (NGN) dhe redaktorin ekzekutiv Dan Wootton mbi një artikull të vitit 2018, që paraqiste prova se Depp kishte dhunuar ish-gruan e tij Amber Heard.
Gjykatësi hodhi poshtë pretendimin e yllit ‘Pirates Of the Caribbean’, duke thënë se ajo çfarë është raportuar nga gazeta ishte “thelbësisht e vërtetë”. Avokati i botuesit të Sun, Sasha Wass QC, argumentoi se “nuk ka dyshim që Depp abuzonte rregullisht dhe sistematikisht me gruan e tij”.

Depp vazhdimisht ka mohuar akuzat, duke pretenduar se ishte ish-gruaja e tij që ka qenë e dhunshme me të. Vendimi i gjykatës shihet si një fitore e ‘raundit të parë’ për Heard. Në korrik, Depp dhe ish-gruaja e tij patën një përballje dramatike tre-javore ligjore që zbuloi akuzat e shëmtuara të sulmit verbal dhe fizik, abuzimit të drogës dhe alkoolit dhe jetës private të trazuar për çiftin e famshëm.























