Dramë në fund të numërimit të votave në SHBA
Fund dramatik pritet të ketë procesi i numërimit të votave në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kandidati i Partisë Demokratike, Joe Biden, sipas rezultateve të AP-së dhe analizave të New York Times, po udhëheq me votë elektorale 227:213, ndaj Donald Trumpit të Partisë Republikane.
Një kandidati i duhen 270 vota elektorale për të fituar zgjedhjet, ndërsa janë disa shtete për të cilat s’ka përfunduar numërimi dhe rezultati është shumë i ngushtë mes kandidatëve.
Bideni po vazhdon të mbajë epërsinë në Arizona dhe Nevada, ku janë numëruar 86 për qind të votave. Këto dy vende bashkë sigurojnë 17 vota elektorale, Arizona 11 dhe Nevada 6.
Trumpi po prin në Pensilvani që siguron 20 vota elektorale. Aty deri tash janë numëruar 78 për qind të votave e Trumpi prin me rreth 500 mijë vota para kundërkandidatit. Trumpi po udhëheq edhe në North Carolina e Georgia, që bashkë sigurojnë 31 vota elektorale.
Vendet që pritet të jenë kyçe për rezultatin final janë Michigani me 16 vota elektorale dhe Wisconsin me 10. Në të dyja Bideni ka arritur të dalë përpara duke përmbysur epërsinë e hershme të Trumpit. Aktualisht aty janë numëruar 97 për qind të votave në Wisconsin, dhe 90 për qind të votave në Michigan.
Për këto vende, të dy kampet janë shprehur të bindura se do të fitojnë, ndërsa numërimi s’pritet të përfundojë shpejt.























